KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Çapaliku: Një roman për Shkodrën e fëmijërisë!

Çapaliku: Një roman për Shkodrën e fëmijërisë!

I njohur si dramaturg dhe njeri aktiv i teatrit, Stefan Çapaliku sapo ka përmbyllur një sprovë letrare si romani. Nën titullin “Secili çmendet sipas menyres se vet”, autori sjell një pikturë të detajuar të Shkodrës së viteve ’70-’80, që përkon me kujtimet e fëmijërisë së tij dhe ngjarje që farkëtuan fatin e mijëra shqiptarëve. Një prej tyre ishte prishja e tempujve të kultit dhe zëvendësimi me kutinë e televizorit. “Pa dyshim që koha ka qenë e çmendur, karakteret dhe personazhet që unë përshkruaj raportohen me kohën në mënyra krejtësisht atipike, tingëllojnë se kanë një finalitet anormal dhe unë për me dash me lidh bashkë në një titull në fund të romanit më erdhi në kokë se çfarë i bashkonte personazhet e mi ishte fakti se secili çmendej sipas mënyrës së vet” thotë Çapaliku për RTSH.
I pyetur se si i ka ruajtur raportet dhe ekuilibret mes trillimit dhe kujtimeve të gjalla, Stefan Çapaliku përgjigjet se “Ka qenë shumë e vështirë, ka qenë sfidë! Shpesh historitë e kanë tharmin e të vërtetës, por devijojnë nga e vërteta deri në një kufi ku as unë vetë nuk e kam ditur kur mbaron e vërteta dhe ku fillon trillimi”
Romani me një stil të zhdërvjellët dhe realist, përcjell edhe një dokumentim letrar të një përvjetori më shumë se të hidhur, 1967-2017, 50 vite nga mohimi zyrtar i Zotit dhe shpallja e Shqipërisë si shtet ateist. “Momenti ka qenë fatal për faktin se ne shtëpinë tonë në Shkodër e kishim ngjitur me murin e Kishës Françeskane” kujton shkrimtari Çapaliku. “Ishte koha kur njerëzit e mi nuk mund të kenë bërë të paditurin ndaj faktit se kisha u prish, kompanieli u shemb, u kthye në një kinema që thirrej Kinema Punëtori” thotë ai. Shkrimtari shton më tej se në romanin e tij kësaj ngjarjeje i mbivendoset një ngjarje tjetër e vogël që është ardhja e televizorit.
Romani i cili ecën me një stil të vetin në ekuiliber mes trillit dhe kujtimeve, ku nuk mungojnë copëza humori, vjen nën botimet Fishta, e mesa duket nuk do të jetë titulli i fundit në gjininë e romanit nga Stefan Çapaliku.

Sicred