KRYEFAQJA » LAJME » Cakaj në Gjermani siguron mbështetje lidhur me proceset integruese të Shqipërisë
Cakaj në Gjermani siguron mbështetje lidhur me proceset integruese të Shqipërisë

Cakaj në Gjermani siguron mbështetje lidhur me proceset integruese të Shqipërisë

Ministri i jashtëm në detyrë Gent Cakaj gjatë vizitës së tij zyrtare në Berlin, zhvilloi një seri takimesh me parlamentarë gjermanë, në kuadër të një komunikimi intensiv me Bundestagun, sidomos me përfaqësues të grupeve politike dhe komisioneve parlamentare të angazhuar me çështjet e Bashkimit Evropian, zgjerimit dhe Ballkanit Perëndimor.
Zoti Cakaj ka kërkuar dhe ka siguruar mbështetje lidhur me proceset integruese të Shqipërisë.

Norbert Röttgen, Kryetari i Komitetit Parlamentar për Politikën e Jashtme në Bundestag rikonfirmoi idenë dhe bindjen e tij se BE-ja nuk është e plotësuar pa Ballkanin Perëndimor, duke siguruar mbështetjen për negociatat dhe nxitjen e procesit.

Thomas Hacker nga Demokratët e Lirë (FDP) dhe reporter për Shqipërinë, shprehu mendimin se koncepti dhe interesi i përbashkët evropian nënkupton një rajon të integruar, të qëndrueshëm dhe të sigurt, por në këtë drejtim perspektiva e integrimit në BE, është një promotor i shkëlqyeshëm për kapërcimin e nacionalizmave dhe konflikteve të së shkuarës në Ballkan.

Ndërkohe Patrick Sensburg, Kryetar i Komitetit të Shqyrtimit të Zgjedhjeve, Imunitetit dhe Procedurave ligjore, në Bundestag, shprehu vlerësimin e tij për ecurinë e proceseve integruese dhe theksoi rëndësinë e promovimit të arritjeve të Shqipërisë jo vetëm me zyrtarët publikë në Gjermani, por edhe me qytetarët gjermanë, për të kuptuar proceset e rëndësishme që po ndërmerr Shqipëria, si dhe efektet që kanë këto procese edhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Manuel Sarrazin, Reporter për Shqipërinë, Përfaqësues i të Gjelbërve në Komitetin e Çështjeve Evropiane në Bundestagun gjerman, u shpreh se Komisioni Evropian dhe politika gjermane duhet të marrin sa më parë një vendim pozitiv për Shqipërinë, për t’i mundësuar asaj një perspektivë të qartë e të besueshme evropiane, si e vetmja alternativë e qenësishme për vendin.
Zoti Sarrazin, vlerësoi shkëmbimin e informacionit konkret dhe të detajuar sa i takon reformave të ndërmarra në Shqipëri dhe u shpreh se jo vetëm personalisht, por edhe në emër të së Gjelbërve, e mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Në përgjigje të kësaj fryme pozitive dhe tejet inkurajuese të përfaqësuesve të Bundestagut gjerman, Ministri në Detyrë Cakaj vlerësoi Gjermaninë si një partnere kryesore që ka qenë dhe mbetet luajale ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike në rajonin e Ballkanit, pa mbështetjen e së cilës, procesi i integrimit nuk do të ishte i mundur për asnjë nga vendet e rajonit tonë.

Ministri Cakaj u rikonfirmoi të gjithë përfaqësuesve të Bundestagut, vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar me ritmet e duhura për konsolidimin e reformave kyçe dhe përgatitjet për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Para Mbrapa
Cakaj në Gjermani siguron mbështetje lidhur me proceset integruese të Shqipërisë
Para Mbrapa
Sicred