KRYEFAQJA » LAJME » Bushati në Budva: Vendet e BP të pajtohen dhe të tregojnë vullneti politik për bashkëpunim
Bushati në Budva: Vendet e BP të pajtohen dhe të tregojnë vullneti politik për bashkëpunim

Bushati në Budva: Vendet e BP të pajtohen dhe të tregojnë vullneti politik për bashkëpunim

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor për pajtim dhe vullnet politik, për më shumë bashkëpunim për heqjen e barrierave midis tyre. Duke folur në takimin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor (BP6), i cili u zhvillua më 30 nëntor në qytetin e Budvës të Malit të Zi. zoti Bushati tha se “Kemi nevojë për të vendosur më shumë theksin tek pajtimi, i cili lidhet drejtpërdrejt dhe me vullnetin politik për të bashkëpunuar dhe vijuar me proceset për të cilat kemi rënë dakord me parë”. Sipas ministrit të jashtëm shqiptar “Bashkëpunimi ende nuk është aty ku duhet për shkak të mungesës së vullnetit politik për të hequr barrierat, e kjo bie më shumë në sy në ndërlidhshmërinë energjetike”. “Një gjë e tillë, tha zoti Bushati, ndikon jo vetëm zhvillimin, por edhe klimën e bashkëpunimit që po mundohemi të krijojmë në rajonin tonë. CEFTA gjithashtu duhet të interpretohet në raport me angazhimet e tjera që çdo vend ka ndërmarrë”, tha ai. Duke konkretizuar deklaratat e tij zoti Bushati theksoi nevojën për veprime në drejtim të roaming-ut dhe komunikimit të telefonisë celulare.
Ministri Bushati nënvizoi veçmas perspektivën e integrimit në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Takimi i Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor (BP6) në Budva u mbyll me një tekst të përbashkët, tekst për të cilin nga pala shqiptare u insistua që të miratohej me konsensus rëndësia e respektit të ndërsjellë të marrëveshjeve rajonale.

Sicred