KRYEFAQJA » LAJME » Bushati: Në BE ka disa stereotipe negative që përpiqen të na lidhin me islamin, por jeta publike në Shqipëri është europiane

Bushati: Në BE ka disa stereotipe negative që përpiqen të na lidhin me islamin, por jeta publike në Shqipëri është europiane

Në kontekstin e angazhimit të SHBA në Ballkan, ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati ka apeluar për leximin e saktë të faktorëve rajonalë edhe nga ana e BE, sidomos në çështjet e përkatësisë fetare. I pyetur nga nënsekretari i Këshillit të Atlantikut të Veriut Damon Wilson,  nëse Shqipëria eventualisht mund të paragjykohet për shumicën myslimane, ministri i jashtëm shqiptar ka thënë se kjo nuk duhet të jetë një sfidë për Shqipërinë, sepse përndryshe do të krijonte një precedent negativ, jo vetëm për zhvillimet në rajon, por edhe për projektin evropian në tërësi.
“Sigurisht, ka edhe disa stereotipe negative (në Evropë) që përpiqen të na lidhin me islamin, por që janë të pabaza pasi mënyra se si zhvillohet jeta publike (në Shqipëri) është në një mënyrë evropiane…. Tani ka më shumë myslimanë në Gjermani ose në Francë sesa në Shqipëri” tha zoti Bushati.
Duke ekspozuar natyren laike të shoqërisë shqiptare, ministri i jashtëm Bushati deklaroi gjithashtu se në bazë të saj, po të shoqëruar edhe me masat ligjore të viteve të fundit Shqipëria nuk ka patur probleme me luftëtarët e huaj. “Ne kemi forcuar masat ligjore dhe institucionale në luftën kundër radikalizmit, veçanërisht për luftëtarët e mundshëm të huaj. Në dy apo tre vitet e fundit, Shqipëria nuk ka pasur asnjë problem me luftëtarët që shkojnë apo kthehen nga Siria” tha zoti Bushati.
Ministri i jashtëm ka paraqitur edhe ecurinë e procesit të vetingut në Shqiperi si precedent edhe për BE-në. “Ky proces i ri po vendos gjithashtu një shembull për vendet e tjera në rajon, veçanërisht pasi BE po fillon një procedim disiplinor kundër shteteve anëtare për shkeljet në sundimin e ligjit dhe të standardeve të të drejtave të njeriut. Po ashtu krijon një precedent për vendet që ashtu si ne janë në rrugën e anëtarësimit. Është një reformë e madhe dhe po shkakton një situatë të vështirë, sepse largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kalojnë testin e verifikimit është duke krijuar një vakum në ato institucione. …Ne besojmë se këto reforma do të kenë një efekt domino edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” tha zoti Bushati.
I pyetur nga nënsekretari i Këshillit të Atlantikut të Veriut, ministri i jashtëm shqiptar e sheh ecurinë e bisedimeve Kosove – Serbi si proces të nevojshëm për ndërmjetësim, sa edhe vendimarrës. “Ka ardhur koha për Serbinë dhe Kosovën që të bëjnë lëshime më të dhimbshme dhe me shpresë të arrijnë një marrëveshje reciprokisht të dobishme, e cila gjithashtu mund të jetë ligjërisht e detyrueshme.
Por i pyetur drejtëpërdrejtë nga zoti Wilson, zoti Bushati ka përjashtuar shkëmbimin e territoreve. “Mendoj se kjo do të shkonte kundër frymës së të gjitha përpjekjeve të bëra në Ballkan gjatë tre dekadave të fundit. Do të shkonte kundër frymës së Aktit Final të Helsinkit dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare me vlerë ligjore. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos hapim “Kutinë e Pandorës” për raste të tjera në rajon” paralajmëroi ai.

Sicred