KRYEFAQJA » LAJME » Bushati flet në ministerialin e parë mbi “Liritë Fetare” në Uashington

Bushati flet në ministerialin e parë mbi “Liritë Fetare” në Uashington

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme gjendet në Uashington DC për të marrë pjesë në Ministerialin mbi “Lirinë Fetare” me ftesë të Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo. Në fjalën e tij gjatë ministerialit, Ministri Bushati vlerësoi organzimin e një konference të tillë dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të të mbajtur një konferencë të ngjashme edhe në rajonin e Ballkanit, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të.
Kreu i dilpomacisë shqiptare u ndal tek sfidat me të cilat po përballet shoqëria dhe nevoja e adresimit të tyre me fqinjët në nivel rajonal dhe nën-rajonal. Për ministrin Bushati, “Në ditët e sotme, feja ka fituar një rëndësi të veçantë, konkretisht në kontekstin e grupeve ekstremiste që përpiqen të shtrembërojnë rregullat themelore të doktrinës së vërtetë fetare duke instrumentalizuar dallimet midis besimeve të ndryshme”.
Duke iu referuar Shqipërisë, ai bëri me dije se masat e marra nga autoritetet që prej vitit 2015, janë investime në kohë, energji dhe burime të jashtëzakonshme në ngritjen e një rrjeti rajonal koordinatorësh dhe institucionesh të fokusuara në luftën kundër terrorizmit të dhunshëm. Zoti Bushati nënvizoi se është e domosdoshme të zvogëlojmë dallimet dhe të përmirësojmë mirëkuptimin duke u mbështetur tek edukimi, e në këtë kontekst Shqiperia në bashkëpunim me OKB-në, ka filluar një program për zhvillimin e kurrikulave mbi historinë e vlerave fetare dhe universale të cilat janë të mishëruara në çdo fe. “Duke qenë një vend tolerant ndër-fetar, ne e dimë se sa e brishtë mund të jenë toleranca dhe bashkëjetesa, veçanërisht në kohë komplekse si këto. Prandaj, mësimdhënia dhe nxënia e asaj ç’ka bashkon më tepër sesa e asaj ç’ka ndan fetë e ndryshme, për ne është çështje e natyrës etike dhe pragmatike”, nënvizoi Ministri Bushati.
Në fund të fjalës së tij, Ministri Bushati solli në vëmendjen e të pranishmëve traditën e shkëlqyer të harmonisë së fortë ndër-fetare në Shqiperi, e cila nxiti Papa Franceskun të bëntë vizitën e tij të parë evropiane në Shqipëri në vitin 2014.

Sicred