KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Burgoset trashëgimtari i Samsung

Burgoset trashëgimtari i Samsung

Trashëgimtari i kompanisë Samsung, Lii Xhei-Jong, është dënuar këtë të premte me pesë vjet burg nga një gjykatë e Koresë së Jugut. Ai u akuzua për korrupsion në një skandal që çoi në rrëzimin e ish presidentes së Koresë së Jugut, Park Gun-hi . I njohur edhe si Xhei i Lii, kreu de fakto i kompanisë më të madhe të prodhimit të smartfonave në botë kishte qenë ndaluar nga policia që në muajin maj mbi bazën e një sërë akuzash, të cilat përfshinin që nga dhënia e rryshfetit, përvetësimi dhe fshehja e aseteve jashtë vendit. Prokurorët kërkuan 12 vjet burg për Lii Xhei-Jong, çka mund ta linte kompaninë gjigande pa drejtim për vite të tëra si dhe do të pengonte aftësinë e saj për të marrë vendime për investime kyçe. 49 vjeçari Lii u akuzua se në këmbim të favoreve politike, kishte dhënë donacione me vlerën e 36 milionë dollarëve fondacioneve jofitimprurëse të cilat drejtoheshin nga një mik i ish presidentes, Park Gun-hi. Prokurorët thanë se donacionet iu dhanë të besuarit të ish-presidentes në mënyrë që kjo e fundit të jepte mbështetje qeveritare për ristrukturimin e Samsung, çka do të fuqizonte kontrollin e zotit Lii mbi Samsung Elektroniks. Pas dhënies së vendimit nga gjykata, aksionet e Samsung shënuan një rënie prej 1% në bursë.

Sicred