KRYEFAQJA » LAJME » Bulevardi i Ri, gati në mesin e 2018-es

Bulevardi i Ri, gati në mesin e 2018-es

Në muajin qershor do të hapet për qytetarët pjesa e parë e bulevardit, përfshirë edhe parkimin nëntokësor që është pjesë e këtij projekti. Ndërsa i gjithë bulevardi, prej 1,6 km deri tek Lumi i Tiranës parashikohet të përfundoje mesin e vitit të ardhshëm. Drejtori i projekteve pranë Bashkisë së Tiranës, Genci Kojdheli thotë se përmes infrastruktures po krijohen premisa për zhvillimin e zonës. “Studio arkitektonike angleze “Grimshaw” janë ata që kanë dizenjuar bulevardin kanë marrë një detyrë të re nga Bashkia Tiranë për të krijuar edhe master planin e gjithë zonës e cila rrethon bulevardin e ri, shumë shpejt ata do të paraqesin propozimin e tyre final. Mbi atë propozim do të bëhet miratimi i planit për zonën rreth bulevardit dhe do të filloje menjëherë dhënia e lejeve të ndërtimit” tha zoti Kojdheli.

Në këtë segment me gjerësi 70 metra, vetëm 1/3 do të përdoret nga automjetet. Pjesa tjetër do t’i dedikohet korsive të biçikletave dhe hapsirave pedonale, element i të cilave është edhe gjelbërimi. Por ky segment i ri, ndonëse e zgjeron Tiranën drejt veriut, nuk integrohet me akset rrugore në veri të vendit. Në këto kushte Bashkia po vlerëson edhe zgjidhje alternative për të siguruar vazhdimësi të aksit të Bulevardit të Ri. Kojdheli shtoi se “ka një pengesë fizike le të themi që ka të bëje me ndërtimin e disa pallateve në gjurmën e bulevardit por një zhvillim i mëtejshëm i mënyrës sesi bulevardi lidhet me arteriet e tjera të rrugëve do ti duhet të varet shumë edhe nga projekti i unazës veriore pra i lidhjes simbjotike që ka unaza ekzistuese me seksionin nga Kodra e Priftit-Urë e Brarit deri tek dogana”. Projekti i Bulevardit të ri kushton 26 milion euro të kredituara nga fondi Abu Dabi. Bashkia parashikon që kredia të ketë efekt neutral mbi buxhetin e saj dhe të shlyhet përmes të ardhurave që do të sigurohen nga lejet zhvillimore, duke nisur nga viti 2018.