KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Bujqësi, skema e subvencioneve, 90 përqind e fermerëve fitues paraprak

Bujqësi, skema e subvencioneve, 90 përqind e fermerëve fitues paraprak

90 përqind e fermerëve aplikues në skemat mbështetëse të bujqësisë, janë fitues paraprak. Në një takim me fermerë dhe agropërpunues në Korçë, ministri i bujqësisë, Niko Peleshi, tha se suksesi i kësaj skeme është shpallja e fituesve. “Unë dua t’jua them të gjithë atyre që aplikuan në mollë psh, meqenëse këtu jemi në vendin e mollëve, kanë fituar të gjithë, 100 përqind. Të gjithë ata që shkuan dhe aplikuan për mbjellje të reja për mollë, kanë fituar, pra janë shpallur fitues. Në total pothuajse 90 përqind e aplikantëve janë shpallur fitues dhe për masat e tjera, siç është vaditja me pika, apo investime të tjera në fermë, apo për matrikullimin, ata që kanë aplikuar për rimbursimin e qumështit, atë 100 lekëshin për litër të qumështit. Pra, numri i fituesve në raport me aplikantët është shumë i lartë këtë vit” tha zoti Peleshi.
Ai tha se gjysma e grantit prej 20 milionë euro të skemës kombëtare financiare të subvencioneve shkon për fermerë e blegtorë dhe gjysma tjetër për agropërpunim. “Ministria e Bujqësisë sapo ka përmbyllur “Thirrjen” dhe ka marrë aplikimet për Skemën kombëtare financiare të subvencioneve dhe granteve që ishte 20 milionë euro këtë vit. Pothuajse, gjysma e tyre më shumë se 50 përqind shkon për subvencionet e fermerëve dhe blegtorëve dhe pjesa tjetër shkon në investimet në agropërpunim, magazinim, linja prodhimit” bëri të ditur ministri Peleshi. “Patëm një numër të lartë, të kënaqshëm aplikimesh, 30 përqind më shumë se vitin e kaluar, edhe sepse ju mund ta konfirmoni, një pjesë e madhe këtu ka aplikuar. Aplikimi ishte shumë i thjeshtë këtë vit, ishte vetëm me kartë identiteti” shtoi zoti Peleshi.
Ministri socialist i bujqësisë, sërish ka bërë thirrje për një besim më të madh në skemat dhe politikat që po ndërmerren, sepse vetëm kështu do të mund të rigjallërohet dhe modernizohet bujqësia shqiptare. Shumë shpejt do të hapet “thirrja e parë” për Programin IPARD, që do të thotë një mundësi e artë për të gjithë fermerët, njoftoi ai.

Sicred