KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » BSH-Të ardhurat nga turizmi

BSH-Të ardhurat nga turizmi

1,3 miliardë euro ka arkëtuar Shqipëria të ardhura nga udhëtimet e shtetasve të huaj për periudhën janar-shtator 2017, që do të thotë 13% më shumë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur nivelin më të lartë rekord. Por gati 1 miliard euro shpenzojnë edhe shqiptarët për të dalë jashtë vendit, fiks 974 milionë euro, duke bërë që si fitim neto në vend të mbeten 337 milionë euro. Edhe pse jo aq sa do donim, një bilanc pozitiv ky e nivel rekord në historinë e këtyre viteve. Këto janë të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë për 9-mujorin e 2017-ës, ku fluksin më të lartë e ka pasur tremujori i tretë, stina e verës. Rritja vjetore e të ardhurave u ndikua nga rritja me 3% e numrit të vizitorëve të huaj (jo rezidentë) dhe rritja me 16% e shpenzimeve mesatare të këtij grupimi. Sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë për periudhën janar-shtator ishte rreth 4.2 milionë vetë, me një rritje prej 5.7% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kryesojnë turistët nga Kosova me 1,5 milionë hyrje, ndonëse me rënie të ndjeshme mbi 30% krahasuar me vitin e kaluar, të ndjekur nga maqedonasit me 510 mijë hyrje, grekët (351 mijë), italianët (294 mijë). Në vlerë absolute shtetasit italianë kanë shënuar dhe rritjen më të madhe, 94 mijë më shumë. Por, pas 27 vitesh hapje me botën, shqiptarët në 2017-n kanë shënuar shifër rekord për udhëtimet jashtë vendit, duke zgjatur edhe ditëqëndrimet. Po sipas Bankës së Shqipërisë, është rritur me 5% numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë, ndërsa shpenzimet për këtë 9-mujor ishin 974 milionë euro, edhe ky një nivel rekord. Një nga arsyet që shqiptarët kalojnë pushimet e tyre jashtë vendit të tyre, edhe Shqipëria I ka të gjitha bukuritë natyrore, kuzhinë të lavdërueshme, por edhe shumë investime në strukturat akomoduese, është se ende nuk ofrohet shërbimi all inclusiv, ku të gjitha shërbimet vijnë në një paketë të vetme, që përmban edhe një kosto më të lirë.

Sicred