KRYEFAQJA » LAJME » Bruksel, takimi i nivelit të lartë Kosovë-Serbi
Bruksel, takimi i nivelit të lartë Kosovë-Serbi

Bruksel, takimi i nivelit të lartë Kosovë-Serbi

Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen në nivel presidentësh e kryeministrash në takimin e radhës në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Takimi është paralajmëruar për t’u mbajtur ditën e martë në Bruksel.
Në Prishtinë, zyrtarë të qeverisë thanë se po zhvillohen këshillime të ngushta mes kryeministrit Isa Mustafa dhe presidentit Hashim Thaçi për takimin e së martës, në të cilin do të marrin pjesë të dy.
Nga ana e tij kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, tha të dielën se bashkë me të në takim do të jetë edhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç. “Mendoj që shqiptarët do t’i sjellin përfaqësuesit më të lartë. Shpresoj që do të ketë arsye të mjaftueshme dhe qasje racionale, në mënyrë që të mos përsëritet më kurrë sjellja e mjeteve luftarake dhe e armëve, në mjediset e banuara me serbë dhe që me këtë të tregohen muskujt “, tha kryeministri serb.
Tensionet e ditëve të fundit, nxitën shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, të thërrasë për të martën me 24 janar një takim të përfaqësuesve të lartë të Kosovës dhe Serbisë. Ky do të jetë takimi i parë pas gati një viti në nivelin e lartë në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve.
Më 14 janar autoritetet e Prishtinës ndaluan hyrjen në Kosovë të një treni që ishte nisur nga Beogradi në drejtim të Mitrovicës i dekoruar me flamuj serbë, me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në 20 gjuhë.

Sicred