KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Britanikët votojnë sot në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme

Britanikët votojnë sot në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme

Britanikët votojnë sot në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, të cilat do të përcaktojnë shefin e qeverisë së re që do të udhëheqë edhe negociatat për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian. Zgjedhjet e përgjithshme, që në afat normal do të mbaheshin në maj të vitit 2020, u caktuan për më 8 Qershor pas vendimit të kryeministres Tereza Mei për të shkuar në zgjedhje të parakohshme me qellim sigurimin e stabilitetit dhe unitetit në negociatat për Brexit-in. Mes partive kryesore që zënë vend në Dhomën e Ulët të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, e cila përbëhet nga Anglia, Uellsi, Skocia dhe Irlanda e Veriut, janë Partia Konservatore e kryeministres Mei, Partia Laburiste e Xheremi Korbinit, Partia e Liberal Demokratëve e Tim Farronit, Partia e Pavarësisë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) e Pol Njutollit dhe Partia Nacionale Skoceze e Nikola Starxhionit. Sipas sondazheve të fundit, partia konservatore e zonjës Mei mund të marrë 45% të votave, e ndjekur nga laburistët me 36% kurse pjesa e mbetur do të ndahet mes tri partive të vogla. Zonja Mei thotë se i duhet të rrisë fuqinë e Partisë Konservatore, me qëllim që të forcojë pozicionin e saj në negociatat me BE-ne. Këto negociata do të ndikojnë mbi punësimin në Britani, pagat, çmimet e banesave, normat e interesit, emigrimin, nivelin e tregtisë, mbrojtjen dhe sigurinë, financat dhe shërbimet pubike por Mei është e vendosur të zbatojë vullnetin e votuesve. Sidoqoftë, edhe laburistët kanë thënë se nuk do të përhiqen nga dalja prej BE-së, nëse i fitojnë zgjedhjet. Analistët parashohin ndërkaq se një mbështetje më e fuqishme për Partinë Kombëtare Skoceze do t’i rritë mundesite që Skocia të mbajë referendum për pavarësi.