KRYEFAQJA » LAJME » FIFA Rusi 2018 » Botërori, Rusia i bën një hapje me pesë yje
Botërori, Rusia i bën një hapje me pesë yje

Botërori, Rusia i bën një hapje me pesë yje

Kampionati i 21-të Botëror i Futbollit ka ngritur të enjten siparin e tij, me ceremoninë e hapjes dhe me ndeshjen e parë të tij, atë midis Rusisë dhe Arabisë Saudita, që u fitua nga vendasit me rezultatin 5-0.

Përpara ndeshjes, ceremonia e hapjes ka patur protagonist këngëtarin e njohur britanik, me famë botërore, Robi Uilliams, të shoqëruar nga sopranoja ruse, Aida Garifulina, ndërsa pjesë e spektaklit ka qenë edhe legjendari brazilian, Ronaldo. Nuk kanë munguar edhe fjalimet e rastit nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, por edhe ai i FIFA-s, Xhani Infantino, për t’ia lënë më pas fjalën ndeshjes.

Një ndeshje që i ka parë vendasit t’i bëjnë shumë saktë detyrat e shtëpisë dhe duke fituar me 5 gola, dy në pjesën e parë dhe 3 në të dytën, e bashkë me to edhe 3 pikë mjaft të vyera ndaj një skuadre saudite të zbehtë, të çoroditur dhe që bëri gabime pa fund.

Rusët do të jenë tepër pragmatistë në pjesën e parë dhe, në rastin e parë të mirë, kalojnë në epërsi me anë të Gazinskijit, që realizon me kokë në minutën e 12-të. Rusia e administron më së miri epërsinë, madje 3 minuta para përfundimit të pjesës së parë, do ta dyfishojë atë, me anë të Çerishevit.

Me këtë epërsi dygolëshe të vendasve do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të sjellë edhe 3 gola të tjerë për Rusinë, dy prej tyre në minutat shtesë. Xuba do të gjejë rrugën e rrjetës në minutën e 72-të, duke i çuar shifrat në 3-0 për rusët. Ndërsa në 3 minutat shtesë, Çerishev do të firmosë fillimisht dygolëshin e tij në këtë takim. Më pas, Golovin do të fiksojë shifrat në 5-0, duke e ndezur kështu Botorin rus.

I gjithë spektakli i kësaj dite të hapjes, sikundër edhe 63 ndeshjet e tjera të këtij Botërori, erdhi për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, që është edhe transmetuesi ekskluziv i kësaj veprimtarie.

Sicred