KRYEFAQJA » LAJME » Botërori i Peshëngritjes, drejtpërdrejt në Rrjetin e RTSH-së

Botërori i Peshëngritjes, drejtpërdrejt në Rrjetin e RTSH-së

Veprimtaria më madhore e peshëngritjes, Kampionati Botëror i Të Rriturve dhe Të Rriturave, që do të mbahet në Anaheim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka nisur të martën dhe do të ulë sipari më 5 dhjetor 2017.

Në këtë kampionat botëror Shqipëria do të marrë pjesë me 5 prej sportistëve të saj më të mirë, ndërsa mungesa e vizës amerikane i ka mohuar vendin në këtë botëror peshëngritësit Daniel Godelli. Sikundër çdo veprimtari madhore sportive, kombëtare apo ndërkombëtare, edhe ky  Kampionati Botëror i Peshëngritjes për Të Rritur do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ndonëse oraret janë paksa të papërshtashme për Shqipërinë.

Kështu, duke gdhirë 1 dhjetori, nga ora 05:00, deri në orën 07:00 të mëngjesit, do të ngjitet në pedanë Evagjeli Veli, që do të garojë në kategorinë e peshës trupore deri në 58 kg femra. Duke gdhirë 2 dhjetori, nga ora 05:00, deri në orën 07:00 të mëngjesit, do të ngjitet në pedanë Briken Calja, që do të garojë në kategorinë e peshës trupore deri në 69 kg për meshkuj. Në mbrëmjen e 2 dhjetorit, nga ora 21:00, deri në orën 23:00, Erkand Qerimaj do të garojë në kategorinë e peshës trupore deri në 77 kg meshkuj. Në orët e para të mëngjesit të 3 dhjetorit do të garojë fillimisht Romela Begaj, në 69 kg për femra, ndërsa menjëherë pas saj do të ngjitet në pedanë Krenar Shoraj, do të garojë në baterinë B të kategorinë e peshës trupore deri në 85 kg meshkuj.

Duhet theksuar se shanset e peshëngritësve shqiptarë në këtë Botëror janë rritur, pas përjashtimit të 9 vendeve për shkak të problemeve me dopingun. Këto vende janë Rusia, Kina, Kazakistani, Armenia, Turqia, Moldavia, Ukraina, Bjellorusia e Azerbajxhani. Ndërkaq, edhe disa sportistëve nga Irani, Koreja e Veriut dhe Venezuela u është mohuar viza amerikane dhe bashkë me të, edhe pjesëmarrja në këtë Botëror.

Sicred