KRYEFAQJA » LAJME » Boterori i atletikës, dita e tretë

Boterori i atletikës, dita e tretë

Dita e tretë e botërorit të atletikës që po zhvillohet në Londër, ka dhuruar surpriza dhe emocione në garat finale. Të gjithë të apasionuarit e mbretëreshës së sporteve, prej tri ditësh i kanë ndjekur në një transmetim të drejtpërdrejtë të gjitha garat e këtij aktiviteti të rëndësishëm në rrjetin e radio televizionit shqiptar, në kanalet RTSH 1 dhe RTSH Sport. Të dielën garat kanë nisur me maratonën për meshkuj dhe femra. Ashtu siç pritej kanë dominuar atletët afrikanë. Medalja e artë është fituar nga keniani Kiru me kohën 2h08’27”. Në vend të dytë u rendit etiopiani Tamarat Tola dhe medalje e bronxtë e ka marrë atleti nga tanzani, Simbu. Tek femrat vetëm në metrat e fundit ka fituar atletja nga Bahreini, Shelimo me kohën 2h 27’ 11” . Ndërsa mendaljen e argjendtë dhe të bronxtë e kanë marrë Kiplagat nga Kenia e Hastings nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Maratonat kanë paraqitur kryeqytetin e Britanisë së Madhe me të gjitha bukuritë e saj. Në kërcimin me shkop për femra, Stefanidi i ka dhuruar medaljen e artë Greqisë. Në provën e fundit ajo ka kërcyer 4.91 metra, ndërsa ka provuar të kapë dhe 5.02 por pa sukses. Medalja e argjendtë ka shkuar për Morris të Shteteve të Bashkuara me 4.75 m ndërsa në vend të tretë u renditën Peinado e Venezuelës dhe Silva e Kubës me 4.65m. Në hedhjen e gjyles për meshkuj Tomas Uolsh nga Zelanda e re me 22.03 m ka marrë medaljen e artë. Larg këtij rezultati kanë qenë atletët e renditur në vendin e dytë dhe të tretë, përkatësisht Kovaç i Amerikës me 21.66 m dhe Zunic i Kroacisë me 21.46 m. Po të dielën është mbyllur edhe konkurrimi në 7-garësh për femra. Tiam e belgjikës ka marrë medaljen e artë me 6784 pikë. Medaljen e argjndtë e mori Shafer e Gjermanisë me 6696 pikë dhe të bronxtën Veter e Holandës me 6636 pikë. Mbrëmja e së dielës kulmoi me garën finale të 100 metrave për femra. Amerikania Toni Boui është kampione bote me kohën 10”85. Por fituesja e kësaj gare është vendosur me fotofinish. Medalja e argjendtë ka shkuar për Talu nga Bregu i Fildishtë me kohën 10”86. Ndërsa medalja e bronxtë i takon atletes holandeze Dafne Shipers me kohën 10”96. Mbetet ende e pathyer dhe askush nuk po i afrohet rekordit të botës, i cili që prej 29 vitesh, nga 16 korrik 1988 me kohën 10”49 mbahet nga amerikania Flores Grifit Xhojner.

Sicred