KRYEFAQJA » LAJME » Botërori i Aeronautikës, mbyllet garimi në ditën e 5-të

Botërori i Aeronautikës, mbyllet garimi në ditën e 5-të

Dita e 5-të e Kampionatit të 9-të Botëror të Aeronautikës në disiplinën e Fluturimeve të Lira me Precizion, që, po zhvillohet në Vlorë, ka vijuar normalisht të mërkurën, e favorizuar edhe nga moti i kthjellët dhe i qëndrueshëm. Paradreke dhe pasdreke janë zhvilluar garat e turit të 7-të për të gjithë sportistët, teksa 6 turet e para janë mbyllur tashmë dhe janë zyrtarizuar edhe renditjet përkatëse. Në këtë Botëror marrin pjesë rreth 147 pilotë nga 28 vende të ndryshme të botës dhe, pas 6 tureve të para, në renditjen ekipore, Kina ka marrë vendin e parë, me 37 pikë, duke kapërcyer në renditje mbi Tajlandën, që ka zbritur në vendin e 4-të, ndërsa Serbia është tashmë e dyta, me 44 pikë, e ndjekur nga Indonezia, me 49 pikë. Shqipëria mban vendin e 13-të, me 465 pikë. Sa i përket renditjes individuale, për meshkuj bullgari Cvetan Colov ka marrë kreun e renditjes, me 3 pikë, një më pak sesa slloveni Anto Shvoljshak, që ka zbritur në vendin e dytë, dhe slloveni tjetër, Matjazh Sluga, që ka 5 pikë. Për femra, është Nunapat Phuçong e Tajlandës që merr vendin e parë, me 12 pikë, e ndjekur nga Marketa Tomashkova e Republikës Çeke, me 18, dhe Dinara Usmanova e Kazakstanit, me 26 pikë. Sikundër çdo veprimtari madhore sportive, edhe ky Botëror, i pari i këtij lloji në Shqipëri, po transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, pa ndërprerje në kanalin RTSH Sport, por, me alternime edhe në RTSH 1 HD.

Sicred