KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Botërori 2018, skenaret e kualifikimit për çdo skuadër
Botërori 2018, skenaret e kualifikimit për çdo skuadër

Botërori 2018, skenaret e kualifikimit për çdo skuadër

Kampioniati i 21-të Botëror i Futbollit ka hyrë në periudhën më interesante të fazës së ndeshjeve në grupe, pasi nga e hëna, deri të enjten do të luhen ndeshjet e 3-ta dhe të fundit, në përfundim të të cilave do të përcaktohen 16 skuadrat që do të vazhdojnë aventurën e tyre në këtë Botëror dhe 16 skuadrat e tjera që do të kthehen në shtëpi.

Përtej ndeshjeve të grupit A dhe të grupit G, ku është zgjidhur çështja e skuadrave që kualifikohen, që janë Rusia dhe Uruguai dhe Anglia dhe Belgjika, dhe ato që kthehen në shtëpi, që janë Arabia Saudite, Egjipti, Tunizia dhe Panamaja, gjithçka mbetet e hapur sa i takon 6 grupeve të tjera të këtij Botërori.

Kështu, në grupin B, Portugalia dhe Spanja, që kanë nga 4 pikë, janë më të favorizuara sesa Irani, që ka 3, ndërsa Maroku është eliminuar. Iranianët e kanë të qartë se Portugalisë, me të cilën ndeshen sonte, i mjafton edhe barazimi për t’u kualifikuar, gjë që vlen edhe për Spanjën ndaj Marokut.

Në grupin C, ku Peruja është eliminuar dhe Franca është kualifikuar, Danimarka e vendit të dytë, me 4 pikë, e di se një barazim të martën pasdindaj rivales evropiane i mjafton për t’u kualifikuar, pavarsisht se çfarë rezultati arrin në sfidën me Perunë Australia, që ka një pikë.

Në grupin D, Kroacia është kualifikuar, ndërsa gjithçka është e hapur midis Nigerisë, që ka 3 pikë, dhe Argjentinës dhe Islandës, që kanë nga një pikë. Gjithçka do të varet nga përballja e drejtpërdrejtë midis afrikanëve dhe amerikanolatinëve, me Nigerinë që mund t’i bëjë punë edhe barazimi dhe me Argjentinën, që alternativë të vetme ka fitoren. Edhe Islanda ka një shpresë të vakët, por vetëm matematikore dhe që mbështetet tek fitorja e saj e thellë ndaj Kroacisë dhe tek barazimi midis Nigerisë dhe Argjentinës.

Në grupin E, Brazili dhe Zvicra janë favorite, me nga 4 pikë secila, por helvetët shkojnë më të qetë në sfidën e së mërkurës pasdite, ku do të ndeshen me Kosta Rikën. Serbia është ende në lojë, por, si alternativë të vetme ka fitoren ndaj 5 herë kampionëve të botës, që kualifikohen edhe me barazimin.

Ndërkaq, është e ndërlikuar çështja e grupit F, ku Meksika ka 6 pikë dhe duket më e favorizuar për t’u kualifikuar, kundrejt Gjermanisë dhe Suedisë, që kanë nga 3 pikë. Edhe Koreja e Jugut, që nuk ka asnjë pikë, ka shanse, edhe pse vetëm matematikore, por vetëm nëse mund thellë Gjermaninë dhe Suedia mundet nga Meksika.

Sa u përket kampionëve në fuqi të botës, çështja është më e thjeshtë, pasi duhet të fitojnë ndaj koreanojugorëve me një rezultat më të mirë sesa Suedia mund të fitojë ndaj Meksikës, e cila, nga ana e saj kualifikohet me një barazim, rezultat ky që u shkon për shtat edhe gjermanëve.

Dhe, së fundi, në grupin H, Senegali dhe Japonia kanë nga 4 pikë secila, por ndjejnë nga pas Kolumbinë, që ka një pikë më pak, por golaverazh më të mirë për momentin. Gjithçka do të vendoset nga dueli i drejtpërdrejtë midis Senegalit dhe Kolumbisë, ku afrikanët mjaftohen edhe me barazimin, rezultat që u shkon për shtat edhe japonezëve, që në këtë rast mund të kualifikoheshin edhe me barazimin ndaj Polonisë. Një fitore e Senegalit i zgjidh shumë lehtë gjërat, pasi i kualifikon afrikanët dhe aziatikët, ndërsa një fitore e Kolumbisë çon këtë të fundit në 16-she dhe fut në lojë matematikën për vendin e dytë, natyrisht në varësi të rezultatit të Japonisë.

Me pak fjalë, këto 4 ditë janë ditët e përllogaritjeve dhe mbetet për t’u parë se kush do të qeshë e të qajë të enjten vonë në mbrëmje.

Sicred