KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Jordania paralajmëron SHBA-të për Izraelin

Jordania paralajmëron SHBA-të për Izraelin

Ministri i Jashtëm i Jordanisë, ka paralajmëruar SHBA-të për pasoja të rrezikshme nëse njohin Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit. Ministri jordanez Ajman Safadi i tha sekretarit amerikan të shtetit Reks Tillerson se një shpallje e tillë do të shkaktonte zemërim të madh në botën Arabe dhe muslimane. Kohët e fundit, ka patur spekullime se Tramp do të njoftonte së shpejti njohjen e Jeruzalemit kryeqytet, një premtim ky i bërë gjatë fushatës presidenciale . Por dhëndri dhe këshilltari i zotit tramp, Xhared Kushner, tha se një vendim i tillë nuk ishte marrë akoma. Ndërkohë, presidenti palestinez Mahmud Abaz po përpiqet të sigurojë mbështetje ndërkombëtare për të bindur zotin Tramp që të mos e bëjë një njohje të tillë. Zyra e Abaz bëri të ditur se presidenti palestinez ka telefonuar dje liderë botërore, si presidentin francez apo atë turk, të cilëve u ka shpjeguar rreziqet e një vendimi të SHBA-ve për lëvizjen e ambasadës së tyre në Jeruzalem apo njohjen e këtij të fundit si kryeqytet i Izraelit. Izraeli është i vendosur që Jeruzalemi të jetë kryeqyteti i tij i përjetshëm dhe i pandashëm. Por palestinezet duan që Jeruzalemi lindor të jetë kryeqyteti i një shteti të ardhshëm. Që nga viti 1948, administrata të mëparshme amerikane janë shprehur se statusi i Jeruzalemit duhej të vendosej përmes negociatave dhe se SHBA-të nuk do të përfshiheshin në veprime që mund të perceptoheshin si paragjykuese për rezultatin e negociatave në fjalë. Por gjatë fushatës së vjetshme presidenciale, zoti Tramp shprehu mbështetjen e tij të fortë për Izraelin dhe premtoi se që ditën e parë në detyrë do të urdhëronte lëvizjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem. Ky vendim nuk është marrë akoma nga Presidenti, por ditët e fundit ka patur spekullime se mund ta bëjë deklaratën përkatëse në një fjalim që do të mbajë këtë të mërkurë.

Sicred