KRYEFAQJA » LAJME » “Bota e fëmijëve” në Galerinë Kombëtare të Arteve

“Bota e fëmijëve” në Galerinë Kombëtare të Arteve

“Bota e fëmijëve” është ekspozita e fundit çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kjo ekspozitë i kushtohet një publiku të veçantë, jo vetëm të rriturve artdashës, por në veçanti krijuesve të vegjël. Në këtë ekspozitë prezantohet krijimtaria e përzgjedhur e katër artistëve si Abdurrahim Buza, Agim Faja, Guri Bulollari dhe Ledia Kostandini. Ata janë autorë të jashtëzakonshëm, plot fantazi, veprat e të cilëve dinë të flasin në gjuhën e të rriturve e të vegjëlve. “Kjo është një ekspozitë që i kushtohet botës së fëmijëve në artin shqiptar, por edhe bota e fëjmijës në pikturën shqiptare” tha drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve Artan Shabani.
Nën kurimin e Esmeralda Dalipi dhe Bujana Demiraj, kjo ekspozitë vjen përpara publikut si një “ditar” me ilustrime të realizuara ndër vite, në teknika të ndryshme, nga autorë të specifikave të ndryshme.
Ekspozita ka veprat e Abdurrahim Buzës, piktorit më të rëndësishëm realist të shekullit XX-të, përballë Guri Bulollarit, një piktor autodidakt, që e bën këtë ekspozitë unike të llojit të saj. Në ekspozitë është prezantuar edhe krijimtaria e Agim Fajës, ilustrues dhe krijues i teksteve letrare për më shumë se 50 vjet në Shqipëri, me mbi 100 libra të ilustruar për fëmijë dhe të rritur, përkrah Ledia Konstandinit, artiste e gjeneratës së re, e cila ilustron përmes mediumit të ri dixhital manual, që e bën këtë ekspozitë një burim kurioziteti për çdo moshë.

Sicred