KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Bosnje, zgjedhje presidenciale e parlamentare me 7 tetor

Bosnje, zgjedhje presidenciale e parlamentare me 7 tetor

Bosnje-Hercegovina do të mbajë zgjedhje presidenciale e parlamentare më 7 tetor, megjithëse udhëheqësit rivalë të etnive të ndryshme nuk kanë rënë ende dakord mbi rregullat e votimit për dhomën e ulët të Parlamentit të Federatës boshnjako-kroate. Afro 3.4 milionë votues do të zgjedhin pjesëtarët kroatë, serbë e boshnjakë të Presidencës tripalëshe dhe ligjvënësit për dhomën e ulët të Parlamentit, veç udhëheqësve rajonalë dhe asambleve. Sipas Komisionit Qendror i Zgjedhjeve po hyhet në periudhë zgjedhjesh pa pasur rregulla të qarta mbi zhvillimin e tyre dhe kundër parimeve ndërkombëtare”. Vetëm pak ditë pasi Bashkimi Europian tha se Bosnja po rrezikonte të rrëshqiste në krizë kushtetuese, KQZ tha se institucionet mund të ndalen së funksionuari, për sa kohë nuk ka një zgjidhje për mosmarrëveshjet mbi rregullat e votimit. Vendi ballkanik qeveriset mbi linja etnike që prej marrëveshjes së paqes së vitit 1995, që i dha fund luftës 4-vjeçare që mori rreth 100 mijë jetë njerëzish. Bosnja u nda në dy rajone autonome, Republikën Serbe dhe Federatën boshnjako-kroate, të cilat lidhen përmes një qeverie qendrore të lëkundur.Të dërguarit e Perëndimit po ndërmjetësojnë bisedimet mes palëve, por ende nuk është arritur një rrugëzgjidhjeje. BE-ja paralajmëroi javën e kaluar se udhëheqësit boshnjakë nuk duhet të mbajnë peng zgjedhjet për interesa partiake.

Sicred