KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Borxhi dhe të ardhurat rrezikojnë ekonominë

Borxhi dhe të ardhurat rrezikojnë ekonominë

Në pothuajse asnjë nga muajt e deritanishëm të këtij viti, të ardhurat fiskale nuk janë realizuar sipas planit, edhe pse kanë qënë më të larta se ato të të njëjtës periudhë të një viti më parë, sikundër kanë dëshirë t’i referojnë autoritetet fiskale. Ndryshimet e titullarëve nuk kanë sjellë më shumë të ardhura, përkundrazi.
Ministria e Financave ka lajmëruar se ka hartuar një strategji të re per menaxhimin e financave publike, ndërsa ka ndryshuar disa nga krerët e zyrave kryesore të grumbullimit të të ardhurave. Kjo nënkupton edhe zgjerimin e bazës tatimore deri vitin e ardhshëm me mbi 30 mijë individë dhe rreth 16 mijë biznese shtesë që aktualisht nuk paguajnë taksa.
Kjo pamje e buxhetit nuk i ndihmon as borxhit publik. Në fund të 2018, në vlerë absolute Borxhi për Frymë përllogaritet të jetë rreth treqind e nëntëdhjetë e pesë mijë lekë, ndërsa borxhi total llogaritet një triliard e njëqind e tridhjetë e shtatë miliard lekë.
Qeveria nuk ia ka dalë të mbajë premtimin për të redukuar borxhin sipas parashikimit të saj afatshkurtër, edhe pse borxhi i jashtëm paraqitet me rënie edhe për shkak të mbiçmimit të monedhës vendasë në raport me monedhën Euro. Sipas BERZH, rreziqet e brendshme për Shqipërinë përfshijnë borxhin e lartë publik si dhe krizën e brendshme politike në vazhdim. Teksa borxhi publik nuk po ulet dhe detyrimet e prapambetura po shtohen, qeveria shqiptare duket se nuk ka më mjete për të përmirësuar situatën. Borxhi publik më 2018 ishte 69.9 për qind duke përfshirë edhe detyrimet e prapambetura. Qeveria raportoi se borxhi i Shqipërisë ishte 67.1% në fund të vitit 2018. Ai duhet të ishte rreth 60 %. Me një borxh që vlen sa gati 70% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), Shqipëria renditet e 14-a në Europë. Në rajon, Shqipëria ka borxhin më të lartë, së bashku me Malin e Zi, ndërsa Serbia, që dikur e kishte këtë tregues edhe më të lartë sesa Shqipëria, e ka ulur në 56.4% të PBB-së.
Perspektiva e rendimentit fiskal në Shqipëri paraqitet e dobët sipas një analize të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili parashikoi se të ardhurat buxhetore në raport me PBB-në do të vijnë në ulje përgjatë periudhës afatmesme 2019-2024.

Sicred