KRYEFAQJA » LAJME » Borshard: Njohja e vuajtjeve krijon stabilitet për një shoqëri të lirë

Borshard: Njohja e vuajtjeve krijon stabilitet për një shoqëri të lirë

Ndarja me të kaluarën duhet të bëhet konkretisht për të krijuar stabilitet politik. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt, ka apeluar në opinionet e tij mbi kulturën e Shqipërisë si periferi europiane, për standarte e referenca konkrete të shoqërisë mbi të kaluarën diktatoriale.
“Ka pak diskutime mbi të kaluarën dhe kanë filluar relativisht vonë. Shpresoj që diskutimi të vazhdojë më tej. Ai është një proces i nevojshëm që duhet të shoqërojë ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. Ndarja me të kaluarën duhet të jetë si njohje politike. Nga ana tjetër, njohja e vuajtjeve krijon stabilitet për një shoqëri të lirë” tha zoti Borchardt.
Në këndvështrimin gjerman për periferinë europiane, ekzistenca e monumenteve, ende me shifrat e propagandës komuniste, është një tjetër korrigjim që duhet të ndodhë. “Kam parë monumente si i Drashovicës p.sh., që përkujton një ngjarje për të cilën historiografia shqiptare thotë se janë vrarë 3000 gjermane. Burime gjermane ushtarake dhe akademikë të huaj e shqiptarë, njohin një shifër të përgjithshme të rënësh gjermanë në Shqipëri prej 1400 ushtarësh në total. Historiografia komuniste është ende pjesë e kujtesës në Shqipëri dhe pranohet pa diskutime publike” tha më tej ambasadori i OSBE-së në Tiranë.
Në kushtet kur Gjermania dhe Shqipëria i masin me kilometra dosjet e shërbimeve të fshehta diktatoriale, përkatësisht 180 kilometra dhe 3 kilometra, përvojat e ekzekutuara tregojnë përsëri ndryshime. Në Gjermani dosjet e hapura janë shfletuar nga 2 milionë njerëz, që për Shqipërinë është ende në kushtet e disa muajve.

Sicred