KRYEFAQJA » LAJME » Bora përfshin Shqipërinë

Bora përfshin Shqipërinë

Reshjet e dëborës të cilat kanë vijuar gjatë gjithë natës dhe mëngjesit në vend, kanë zbritur deri në zonat e ulta. E rënduar është situata në Bulqizë, ku dëbora kanë bërë që rruga Bulqizë-Peshkopi dhe Bulqizë-Burrel të kalohen me shumë vështirësi me zinxhirë. Të pakalueshme janë dhe njësitë administrative Trebisht, Ostren, Martanesh dhe shumë fshatra të njësive Fushë-Bulqizë, Zerqan dhe Shupenzë. Trashësia e dëborës në qytet është 30 cm, ndërsa në njësitë adminstrative varjon nga 50 deri në 80 cm.
Lartësia e borës në Tunel-Kalimash ka arritur në 40 cm ndërsa i gjithë ky aks është i kalueshëm por këshillohet lëvizja me zinxhirë. Sipas informacionit të Stacionit Ushtarak Meterologjik të Kukësit temperaturat të cilat kanë zbritur deri në -7 gradë celcius nuk përbëjnë rrëzik për sigurinë e jetës. Firmat kontraktore të pastrimit po punojnë me kapacitet të shtuar të automjeteve borëpastruese.
Si shkak i rënies së borës janë të bllokuara akset që lidhin Arrën, Shishtavec, Grykë-Çajë e fshatra të Malzi e Topojan. Ndërsa janë pa energji elektrike fshatrat Letaj, Zgjeç të Golaj e fshatrat Cahan, Kishaj Qendër të Bashkisë Has.
Në Shkodër në disa njësi administrative shkollat e kopshtet, janë të hapura por ka numër të vogël nxënësish ndërsa disa rrugë janë të bllokuara. Në qytet nuk ka problem me energjinë dhe furnizimin me ujë, ndërsa në Shosh nuk ka energji elektrike pasi ka pasur rënie dëbore gjate natës dhe trashësia e saj ka arritur deri 120 cm duke dëmtuar rrjetin elektrik.
Edhe bashkia Pukë e Fushë-Arrëz ka patur problematika me dëborët ndërsa situata është nën kontroll të plotë të autoriteteve të emergjencave.
Situata me akset rrugore nacionale të qarkut të Korçës paraqitet disi e normalizuar teksa thuajse të gjitha akset janë të hapura. Përjashtim në akset nacionale bëjnë Dardha dhe Qafa e Qarrit që kalohen me zinxhirë. Zonat e thella malore vijojnë të jenë të bllokuara si rezultat i intensitetit të lartë të reshjve të borës.
Zona më problematike paraqitet ajo e Mokrës së poshtëme ku po punohet për hapjen e rrugës lidhëse pasi kjo zonë është e izoluar. Zonat e thella kanë problem me furnizimin me energji, ndër të cilat është njësia administrative e Moglicës e cila prej ditës së djeshme është në errësirë.
Në Vlorë, rreshjet e dëborës kanë vijuar me intensitet të lartë në qafën e Llogarasë. Aksi është i kalueshëm pa problem për drejtuesit e mjeteve pasi Policia po orienton qarkullimin dhe borëpastrueset po pastrojnë vazhdimisht rrugën. Ndërsa në Tepelenë dhe Gjirokastër në disa zona malore mungon energjia elektrike dhe rrugët janë të bllokuara nga dëbora. Në Kurvelesh kalimi bëhet me zinxhirë ndërsa po punohet për riparimin e rrjetit elektrik.

Sicred