KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Bolt nuk është më fitues i trefishtë në olimpiada
Bolt nuk është më fitues i trefishtë në olimpiada

Bolt nuk është më fitues i trefishtë në olimpiada

Në edicionin e 31-të të Lojërave Olimpike Verore sprintieri fenomenal Jusein Bolt, arriti të shkruajë emrin me gërma të arta në historinë e atletikës.  Ai plotësoi atë që quhet “Treshja e Trefishtë”, fitimin e të 3 garave të shpejtësisë, 100 metra, 200 metra dhe stafetën ekipore 4 herë 100 metra, në 3 Olimpiada. Por, sikundër është bërë e ditur pas “Rio 2016”, kjo arritje e xhamajkanit është zhbërë. Njëra nga këto medalje është njollosur nga dopingu, ndonëse jo për faj të Boltit. Medalja e artë, e fituar nga Xhamajka në stafetën ekipore 4 herë 100 metra në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, është hequr edhe zyrtarish. Kjo pasi njëri nga 3 atletët e tjerë që garoi bashkë me Boltin në atë garë, Nesta Karter, ka rezultuar pozitiv për përdorimin e substancave të ndaluara. Xhamajkani është një nga 31 atletët që kanë rezultuar pozitivë në përsëritjen e analizave të kryera gjatë asaj Olimpiade. Ai ka rezultuar i tillë edhe analizën e dytë, apo testin B. Ndonëse ishte thënë se për Boltin kjo ishte e padrejtë, Federata Ndërkombëtare e Atletikës dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ia kanë hequr medaljen ekipore xhamajkanëve, duke i mohuar kështu edhe Jusein Boltit vendin në histori. E megjithatë ai mbetet sprintieri më i mirë i të gjitha kohërave.

Sicred