KRYEFAQJA » LAJME » Blushi: LIBRA, vota morale e Shqipërisë!

Blushi: LIBRA, vota morale e Shqipërisë!

Kryetari i LIBRA-s, Ben Blushi, vijon fushatën e tij derë më derë. I shoqëruar nga anëtarë të kësaj forcë politike, zoti Blushi është takuar me qytetarë votues të njësisë 9 në kryeqytet të cilëve u ka shpjeguar programin elektoral të forcës politike që ai drejton duke u kërkuar votën më 25 Qershor. “Duhet të votosh se është detyrim këtë rradhë” u është drejtuar zoti Blushi zgjedhësve me të cilët takohej. “Nuk e rregullojmë dot këtë vend pa votuar të gjithë” përsëriste vazhdimisht ai.
Blushi tha se këto takime synojnë të bindin qytetarët se LIBRA është e vetmja mundësi në këto zgjedhje. “Kemi dalë si çdo ditë dhe kemi ecur disa kilometra, për të bindur njerëzit kudo qofshin ata, se LIBRA është e vetmja mundësi në këto zgjedhje” u shpreh zoti Blushi për RTSH.
Kreu i LIBRA-s denoncoi atë që e cilësoi si censurë të medias ndaj kësaj force politike, duke i akuzuar ato se janë të blera nga partitë e vjetra. “Televizionet e shitura të Shqipërisë e kanë shitur LIBRA-n, e kanë bllokuar, e kanë bërë embargo. Sipas të dhënave zyrtare, partitë e vjetra kanë krijuar monopol në televizionet e shitura të Shqipërisë” tha kreu i LIBRA-s. “Që kur ka filluar fushata, që ditën e parë, Rilindja ka dalë 53 orë në TV, Çadra 39 orë, partia e presidentit 13 orë. Imagjinoi sikur të shikosh televizor dy ditë rresht Edi Ramën apo Lulzim Bashën, apo Sali Berishën non stop në televizor” tha plot ironi zoti Blushi, ndërsa kujtoi se LIBRA ka qenë e pranishme 27 minuta. “Sigurisht do ti mundim duke ecur dhe shkuar derë më derë për të bindur shqiptarët se kjo është një arsye më shumë për të rrëzuar këtë kastë të korruptuar televizionesh private, mediash të korruptuara dhe partish të vjetra që kanë bllokuar Shqipërinë. Më 25 qershor LIBRA është e vetmja mundësi zgjedhjeje. Është vota morale e Shqipërisë” këmbënguli Ben Blushi kreu i LIBRA-s.

Sicred