KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Biznesi përfiton miliona nga fshirja e detyrimeve

Biznesi përfiton miliona nga fshirja e detyrimeve

Shënohen përfitimet e para të ligjit të fshirjes së detyrimeve të prapambetura. Deri në fund të muajit gusht 2017 janë më shumë se 112 mijë subjekte që kanë përfituar 14,6 miliardë lekë nga fshirja e gjobave për deklarim të vonuar dhe interesave për detyrime të papaguara. Radiotelevizioni shqiptar disponon shifrat e plota të përfitimeve dhe numrin e plotë të marrëveshjeve me këste që ka realizuar për këtë periudhë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ndërsa një shpjegim të detajuar e bën edhe drejtori i shërbimit të tatim paguesve në këtë drejtori. “Është një lehtësi e madhe për tatimpaguesit sidomos kur janë në rrethana të vështira financiare për arsye nga më të ndryshmet që kanë paaftësi paguese sidomos qoftë ndaj detyrimeve fiskale tek shteti qoftë tek të tretët” tha Artur Papajani, Drejtor i Shërbimit të Tatimpaguesve në DPT. Sipas autoriteteve, 475 marrëveshjet e nënshkruara deri tani për shlyerjen me këste të detyrimeve të skeduluara përbëjnë një vlerë prej 3,8 miliardë lekësh, që do të shlyhen sipas afatit të përcaktuar në marrëveshje. Sakaq janë fshirë nga sistemi tatimor më shumë se 5 miliardë lekë që i takonin 104 mijë subjekteve si gjoba për deklarim të vonuar si dhe më shumë se 8 miliardë lekë të tjera për gjoba dhe interesa të papaguara para vitit 2010. Nga kjo kanë përfituar 11 mijë e 500 subjekte. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve iu ka bërë thirrje subjekteve të përfitojnë nga ligji i fshirjes së detyrimeve të prapambetura tatimore duke aplikuar deri në datën 31 dhjetor 2017.

Sicred