KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Biznesi dhe qytetarët optimistë për ekonominë

Biznesi dhe qytetarët optimistë për ekonominë

Indeksi i ndjesisë ekonomike, treguesi që mat perceptimin e bizneseve dhe konsumatorëve për gjendjen ekonomike në vend u rrit me 1.8 pikë përqindje në tremujorin e tretë të vitit. Kjo ecuri sipas bankës qëndrore i dedikohet rritjes së besimit mbi ekonominë si nga bizneset po ashtu edhe nga konsumatorët. Referuar këtij vrojtimi, rritja e besimit në ekonomi gjatë periudhës Korrik-Shtator ka ardhur kryesisht nga individët, ndërkohë që tek biznesi, sektori më optimist rezulton ai i ndërtimit. Sakaq dy sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë, industria dhe shërbimi, shënuan rënie krahasuar me periudhën Prill – Qershor. Po ashtu edhe tek individët, dy nga balancat që formojnë treguesin e besimit, përkatësisht ato që lidhen me pritshmëritë për të ardhmen, siç është situata e përgjithshme ekonomike në vend dhe situata e pritur financiare e familjes kanë shënuar rënie gjatë tremujorit të tretë. Megjithatë, treguesi total i ndjesisë ekonomike qëndron 13.8 pikë mbi mesataren e tij afatgjatë, ndryshe nga viti i shkuar kur ky tregues arriti edhe poshtë nivelit mesatar afatgjatë. Kjo nënkupton se përgjatë periudhes Korrik – Shtator biznesi dhe konsumatorët e kanë vlerësuar situatën ekonomike më të mirë se sa mesatarja e 10 viteve të fundit.

Sicred