KRYEFAQJA » LAJME » Bota » “Bisha nga Lindja” mbërthen Europën

“Bisha nga Lindja” mbërthen Europën

I ftohti siberian, me reshje të dendura bore, ka përfshirë mbarë Europën, nga Italia në Gjermani e deri në Mbretërinë e Bashkuar. Në Romë temperaturat e acarta nuk kanë penguar qytetarët të mblidhen pranë Koloseut për t’u argëtuar e për të bërë foto. Po ashtu, të tjerë janë mbledhur pranë parkut arkeologjik të kryeqytetit italian dhe në sheshin Shën Pjetër, tërësisht i zbardhur.
Por veç argëtimit moti i keq ka shkaktuar edhe probleme. Vonesat në transportin publik kanë qenë të shumta, ndërkohë që shkollat janë mbyllur. Në terren ka zbritur ushtria me mjetet e saj për të pastruar dëborën.
Në veri të Italisë, në rajonet e Venetos dhe Emilia Romanjës bora ka pushuar dhe është kthyer dielli, por temperaturat mbeten të acarta, deri në minus 7 gradë në qytet dhe minus 23 në zonat malore dhe pritet të vazhdojnë në këto nivele për disa ditë.
Edhe në Gjermani reshjet e borës kanë krijuar probleme të shumta. Trafiku i mjeteve është vështirësuar për shkak të dendësisë, ndërkohë që banesat sociale janë mbushur plot dhe autoritetet druhen se nuk do të mjaftojnë për të pastrehët. Temperaturat arrijnë deri në minus 20 gradë.
Një situatë e ngjashme paraqitet në Austri dhe Suedi. Ndërkohë, në Angli vërshimi i të ftohtit siberian është pagëzuar me emrin “Bisha nga Lindja”. Shërbimi meteorologjik ka dhënë alarmin ngjyrë të verdhë për shkak të të ftohtit dhe reshjeve, duke paralajmëruar edhe një rënie të temperaturave deri në minus 15 gradë, sot dhe në ditët e ardhshme.

Sicred