KRYEFAQJA » LAJME » Bisedimet me Greqinë? Meta: “Çdo gjë në kohën e duhur”

Bisedimet me Greqinë? Meta: “Çdo gjë në kohën e duhur”

Ndërsa pritet autorizimi i presidentit Meta për fillimin e bisedimeve Shqiperi-Greqi, kreu i shtetit shqiptar deklaron se kjo nuk duhet marrë me ngut. I ftuar në një aktivitet në shkollën “Fan S Noli” në Tiranë, me rastin e 7 marsit, zoti Meta u pyet për dhënien e autorizimit mbi këtë çështje, pasi një ditë më parë ministri Bushati u shpreh do t’i jepte kreut të shtetit informacione shteruese. “Nuk e di nëse zoti Bushati ka qenë tek shkolla “Fan Noli”. Por mendoj që shkolla “Fan Noli” na ka mësuar gjithmonë që çdo gjë në kohën e duhur” tha me këtë rast zoti Meta.
Nga ana e tij zoti Bushati kishte shprehur siguri se gjithçka lidhet me rifillimin e bisedimeve me Greqinë, është gati, e se pritet vetëm firma e presidentit. “Jemi në kontakt me Presidentin e Republikës, ekipet tona janë duke punuar sëbashku dhe mendoj që të gjitha çështjet që janë ngritur nga ana e Presidentit do të marrin përgjigje shteruese” tha zoti Bushati. Sipas tij “Është normale që për një proces delikat siç është procesi që ne do të hyjmë së shpejti me Greqinë pas marrjes së autorizimit nga ana e Presidentit. Duke qëne se ky proces  të shkuarën ka pasur edhe aksidentet e tij, ne duam që nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare të kemi një qasje sa më solide dhe të shuajmë çdo pikëpyetje të mundshme” tha ministri i jashtëm shqiptar një ditë më parë.
Për të qartësuar edhe më tej situatë në prag të nisjes së negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë, presidenti Ilir Meta zhvilloi takime si me ambasadoren greke në Tiranë Eleni Surani, ashtu edhe me ministrin e jashtëm Bushati. Ndërsa më herët, kreu i shtetit ka raportuar para deputetëve të komisonit të jashtëm, mbi shqetësimet e tij.

Sicred