KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Bilanci i të ardhurave nga turizmi në 6 mujorin e parë, më i larti në dy dekadat e fundit
Meta: Media të ndryshme dezinformojnë për turizmin në Shqipëri

Bilanci i të ardhurave nga turizmi në 6 mujorin e parë, më i larti në dy dekadat e fundit

Turizmi shqiptar po shënon rezultatet e para pozitive. Sipas statistikave të fundit, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, bilanci neto i të ardhurave nga turizmi në 6 muajt e parë të vitit ishte 156 milionë euro, një nivel rekord ky i pas viteve ’90.

Bilanci neto është diferenca mes parave që të huajt shpenzojnë në Shqipëri (valuta që ata sjellin), dhe atyre që shqiptarët shpenzojnë jashtë. Për 6 muajt e parë të vitit, të huajt shpenzuan 722 milionë euro, ndërsa shqiptarët jashtë lanë 567 milionë euro.

Deri në vitin 2014, ky bilanc ishte negativ, teksa shqiptarët harxhonin jashtë vendit të tyre më shumë sesa të huajt në Shqipëri. Por dy vitet e fundit, raportet janë përmbysur dhe pavarësisht se shpenzimet e shqiptarëve jashtë janë rritur, ato të të huajve, sidomos turistëve, janë zgjeruar me ritme më të shpejta.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të dytë të 2017, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 722 milionë euro. Rritja vjetore e të ardhurave u ndikua nga rritja e numrit të vizitorëve të huaj (jo rezidentë) në vend, me rreth 10%.

Nga ana tjetër, udhëtarët rezidentë (shqiptarë dhe të huaj) kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 567 milionë euro në 6 muaj.

Shifrat mund të jenë edhe më të larta, sapo të raportohen edhe treguesit e muajve korrik dhe gusht 2017. Për vitin 2017, referuar vlerësimeve të ministrisë përkatëse të turizmit, numri i shtretërve pritet të jetë rreth 70.000 dhe i netëqëndrimeve rreth 1.2 milion. Ndërkohë që është raportuar sakaq që Shqipërinë e kanë vizituar deri në fund të qershorit rreth 5,6 milion turistë.

Në vitin 2016, kontributi total i turizmit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto llogaritet në rreth 3.2 miliardë dollarë ose rreth 26%. Për vitin 2027 parashikohet që turizmi shqiptar të kontribuojë me rreth 33% ndaj PBB-së.

Sicred