KRYEFAQJA » LAJME » “Beteja” mes betonit dhe gjelbërimit

“Beteja” mes betonit dhe gjelbërimit

Parku i Liqenit Artificial është jo vetëm një ndër zonat më të frekuentuara nga banorët e Tiranës, por edhe ndër më të lakmuarat për të ndërtuar. Ndërsa parku është rrethuar nga të gjitha anët nga ndërtimet e reja, sfida e rradhës mbetet ruajtja e hapësirave të gjelbëra. Prej disa kohësh, PD akuzon Bashkinë e Tiranës se do të betonizojë edhe territorin e Gardës së Republikës, që së fundi i kaloi nën administrim me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në një deklaratë për shtyp, Bashkia e Tiranës përmendi pesë zona, zhvillimi i të cilave është pezulluar me planin e ri urbanistik, të miratuar vitin e kaluar. Mes tyre është edhe hapësira e pazhvilluar e Gardës së Republikës. Por brenda territorit të Gardës ka edhe një hapësirë të zhvilluar me godina të ulta, e cila sipas planit urbanistik të publikuar nga Bashkia parashikohet të kthehet në zonë shërbimesh, me ndërtesa mbi 8 kate.

Ndërsa 9 muaj na ndajnë nga zgjedhjet vendore, zëdhënësja e PD-së paralajmëron sërish ndryshim të planit urbanistik në rast fitoreje.

Popullësia e Tiranës parashikohet të shkojë mbi 1.5 milion banorë deri në vitin 2030. Shqetësimi i aktivistëve për mbrojtjen e mjedisit është sipërfaqja e vogël e gjelbëruar në raport me numrin e banorëve.

Pavarësisht pemëve të reja që i janë shtuar Tiranës, duket mision i pamundur që beteja mes betonit e gjelbërimit, të fitohet nga ky i fundit.

Sicred