KRYEFAQJA » LAJME » Besimtarët myslimanë nisin të shtunën muajin e begatë të Ramazanit

Besimtarët myslimanë nisin të shtunën muajin e begatë të Ramazanit

Vlera e muajit të Ramazanit është e madhe për myslimanët, sepse pikërisht në këtë muaj ka filluar zbritja e Kur’anit famëlartë në tokë. Sipas fesë islame, çdo besimtar mysliman, është i detyruar të agjërojë për 30 ditë me radhë, në shenjë solidariteti me të varfrit, si dhe të ndajë ushqimin gjatë këtij muaji me nevojtarët.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, me rastin e muajit të Ramazanit ka dërguar një mesazh për të gjithë besimtarët. Ai përçon në mesazhin e tij vëmendjen, kujdesin dhe përkushtimin që duhet të kemi për njerëzit në nevojë, për jetimët, për individët me aftësi të kufizuara, dhe për të gjitha shtresat e tjera të shoqërisë që kërkojnë kujdesin tonë në përmbushjen e nevojave të tyre, në mënyrë që të mbretërojë mirësia, begatia, harmonia dhe paqja në të gjitha familjet shqiptare. Bruçaj tha se “nesër me datë 27 maj është dita e parë e këtij muaji të Bekuar, dhe njëkohësisht dita e parë e agjërimit për të gjithë besimtaret myslimane anë e mbanë botës”. Kryetari i Komunitetit Myslyman të Shqipërisë Skënder Bruçaj, e mbylli mesazhin e tij me këtë urim : “Të dashur vëllezër dhe motra besimtare, kudo që gjendeni, në Shqipëri dhe jashtë saj, uroj dhe lutem përzemërsisht për të gjithë që devotshmëria, përkushtimi dhe sakrifica që do t`ju shoqëroje gjatë këtij muaji të bekuar, Krijuesi e Gjithësisë t`jua kthejë në mirësi, mbarësi, dhe paqe mbi të gjithë ju, familjet tuaja dhe mbarë shoqërinë”.

Sicred