KRYEFAQJA » LAJME » Besa-Dinamo, sot (14:00), drejtpërdrejt në RTSH

Besa-Dinamo, sot (14:00), drejtpërdrejt në RTSH

Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ka ngritur të shtunën siparin dhe, sikundër çdo veprimtari madhore sportive, do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Sezoni i ri ka nisur me përballjen midis Tiranës dhe Ilirisë së Fushë-Krujës, që u luajt të shtunën në Stadiumin “Selma Stërmasi”. Kjo ndeshje, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u vendos në favor të bardhebluve me një gol të shënuar në pjesën e dytë. Ndërkaq, sot luhet ndeshja e fundit e javës së parë, ajo midis Besës dhe Dinamos, që është e vlefshme për grupin A, apo thënë ndryshe, grupin e Veriut. Edhe kjo ndeshje, që do të luhet në Stadiumin “Besa” të Kavajës, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:00. Besa vjen në sfidën e sotme pas asaj humbjeje 1-2 të pësuar në mesjavë në fushën e vet përballë Tiranës, në ndeshjen e parë të turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Edhe Dinamo vjen pas një humbje në takimin e parë të Kupës, pasi u mund 0-2 në kryeqytet nga Flamurtari.