KRYEFAQJA » LAJME » Berat, 60 fëmijë mes tyre dhe ata të komunitetit rom dhe egjiptian me çerdhe të re
Berat, 60 fëmijë mes tyre dhe ata të komunitetit rom dhe egjiptian me çerdhe të re

Berat, 60 fëmijë mes tyre dhe ata të komunitetit rom dhe egjiptian me çerdhe të re

Çerdhja e rikonstruktuar Nr. 7 në lagjen “Donika Kastrioti” në Berat hapi sot dyert për rreth 30 fëmijë të grupmoshave 0-3 vjeç, nga të cilët 20 fëmijë janë të komunitetit rom dhe egjiptian. Projekti 12 milionë lekë është financim i BE-së zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian, Romana Vlahutin e pranishme në inagurim tha se “Është shumë e rëndësishme që fëmijët qoftë nga e ashtuquajtura shumicë, qoftë pakicë, të jenë të përfshirë që në fazën e hershme të jetës së tyre. Ky është një objekt që do i shërbejë gjithë komunitetit. Jam shumë e lumtur që do i shërbejë dhe komunitetit rom e egjiptian. Që ata të mësojnë dhe luajnë si fëmijët e tjerë në Berat” tha zonja Vllahutin.

Me një vendim të 26 prillit, Këshilli Bashkiak i qytetit mundësoi heqjen e taksës së çerdhes për prindër të grupeve vulnerabël, përfshirë ato romë dhe egjiptianë. Ndërkohë rikonstruksioni i çerdhes u identifikua si prioritet nga banorët e lagjes dhe anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian.

Për ministrin e jashtëm Ditmir Bushati: “Kjo nuk është një çerdhe apo kopsht vetëm për fëmijët që i përkasin kësaj pakice, po këtu ka fëmijë dhe njerëz të cilët kanë kontribuar apo sjellin fëmijët e tyre këtu në çerdhe dhe kopsht, i përkasin të gjitha grupimeve të ndryshme, qoftë asaj që konsiderohet maxhorancë, qoftë dhe pakicës në rastin konkret, rome dhe egjiptiane” . “Thelbi kryesor i mesazhit tonë, i punës tonë, ka të bëjë jo me selektimin, ka të bëjë me përfshirjen dhe zhvillimin” tha zoti Bushati.

Por rikonstruksioni i çerdhes në lagjen “Donika Kastrioti” në Berat, nuk është i vetmi projekt në kuadër të projektit “Fuqizim Ekonomik dhe Social për Romët dhe Egjiptianët- shtysë për përfshirjen sociale”. Manuela Hasani, është një grua nga komuniteti rom e cila është ndihmuar me një grant për të hapur atelienë e saj. Ajo tregon se ishte e papunë, ndërsa tani është ndryshe. “Faleminderit BE-së për mbështetjen që më dha të fuqizohesha si biznes. Faleminderit ministrave. Më ndihmuan të shpreh talentin tim” u shpreh ajo.

“E kemi ndihmuar me një shumë të vogël. Është privilegj të ndihmosh një grua për jetesën e familjes, dhe të ndihmojë në rritjen e fëmijës” tha me këtë rast ambasadorja e BE Romana Vllahutin. “Kudo që shkoj në Shqipëri takoj njerëz që punojnë fort për familjen e tyre dhe përpiqemi si të gjejmë zgjidhjen më praktike për ti ndihmuar në këtë drejtim. Për mua gratë shqiptare janë një forcë shqiptare dhe kam kënaqësi që ndihmoj gratë e tjera” shtoi ajo.

Brajan Uilliams, Koordinator i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP tregon se Berati është bashkia e katërt që përfshihet në këtë projekt. “Punësimi dhe fuqizimi i grave është një element thelbësor për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Agjencia e OKB-së është shumë krenare që punon me ministrinë me BE dhe qeverinë për të mbështetur ndërmarrjet e vogla” tha zoti Uilliams.

Para Mbrapa
Berat, 60 fëmijë mes tyre dhe ata të komunitetit rom dhe egjiptian me çerdhe të re
Para Mbrapa
Sicred