KRYEFAQJA » LAJME » Beograd, Junker bën thirrje për një marrëveshje detyruese mes Beogradit dhe Prishtinës

Beograd, Junker bën thirrje për një marrëveshje detyruese mes Beogradit dhe Prishtinës

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha në Beograd se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë vende që kanë çështje të pazgjidhura, duke bërë thirrje për një marrëveshje detyruese ligjore ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të vizitës që po zhvillon në rajon, në dritën e strategjisë së zgjerimit të BE-së me gjashtë vendet e Ballkani Perëndimor. Ai tha se procesi i integrimit mbështetet në meritat e secilit vend kandidat dhe rrjedhimisht data e anëtarësimit të Serbisë varet prej saj. “Nuk mund të importojmë konflikte dypalëshe. Është me rëndësi që ato të zgjidhen para hyrjes në BE, sepse duam që vendeve të Ballkanit t’u ofrojmë qëndrueshmëri dhe jo të importojmë paqëndrueshmëri”, tha Juncker. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se Serbia duhet ta kuptojë se është me rëndësi të arrihet një kompromis me Prishtinën, në të kundërtën “do të mbytet në të kaluarën e saj”. Ai nuk tha se cili mund të ishte kompromisi, por kundërshtoi zërat në Serbi që thonë se “eshte me mire të mbahet një konflikt i ngrirë…” Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të integrimit në BE.

Sicred