KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Belgjika dërgon në shtëpi 5 herë kampionët e botës
Belgjika dërgon në shtëpi 5 herë kampionët e botës

Belgjika dërgon në shtëpi 5 herë kampionët e botës

Do të jetë një çështje e brendshme evropiane ajo e titullit të kampiones së botës, sepse, pasi është eliminuar Uruguai pasdite, edhe përfaqësuesja e fundit e mbetur nga Amerika Latine, Brazili, u eliminua përballë Belgjikës. 5 herë kampionët e botës janë mundur 1-2 përballë “Djajve të kuq”, të cilët rikthehen në gjysmëfinalen e një Botërori pas plot 32 vjetësh dhe do të përballen më 10 korrik me Francën. 
Në fakt, ka qenë një ndeshje mjaft e bukur ajo e zhvilluar në Stadiumin e Kazanit, kryesisht për meritë të belgëve, të cilët kanë dhuruar një futboll të bukur, përballë një Brazili apatik për pjesën e parë dhe që është kujtuar shumë vonë të luajë. Belgjika ka kaluar e para në epërsi pas vetëm 13 minutash lojë, falë një devijimi të pafat të Fernandinjos.
5 herë kampionët e botës janë goditur nga pësimi i golit, ndërsa belgët vijojnë të mbeten në sulm, duke krijuar rrezik të vazhdueshëm në portën e amerikanolatinëve.
Dhe, në minutën e 31-të, “Djajtë e kuq”, siç njihet ndryshe përfaqësuesja e Belgjikës, kanë dyfishuar epërsinë, me një goditje të fuqishme të De Bryjnes.
Me këtë epërsi do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të jenë me të vërtetë të luftuara nga fillimi deri në fund, me Brazilin më kërkues dhe më të rrezikshëm, duke e synuar dhe duke e goditur më shpesh portën belge. “Seleaso” do ta gjejë rrugën e rrjetës 14 minuta para fundit, me atë të të sapofuturit Renato Augusto.
Por duket se është shumë pak dhe shumë vonë, sepse, përtej përpjekjeve të brazilianëve, të cilët herë për mungesë fati, herë për pasaktësi në finalizim e herë për meritë të mbrojtjes dhe portierit kundërshtar, Kurtua, nuk arrijnë të gjejnë edhe një gol tjetër dhe Belgjika fiton dhe rikthehet në gjysmëfinalen e një Botërori pas plot 32 vjetësh.
Sicred