KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Bekoxhi, qyteza që prodhon kampionë olimpikë

Bekoxhi, qyteza që prodhon kampionë olimpikë

Quhet ndryshe “Qyteti i vrapuesve” dhe shumë njerëz as nuk ia kanë idenë se ku bie. Ky qytet, që është një nga sekretet e atletikës etiopiane, është në fakt një qytezë e quajtur Bekoxhi, në qendër të një zone malore, që merret kryesisht me bujqësi. Bekoxhi është shtëpia e Derartu Tulusë, afrikanes së parë që fitoi një medalje të artë në Olimpiadën e Barcelonës në 1992-shin në garën e 10,000 metrave, dhe Fatuma Robas, afrikanes së parë që fitoi maratonën në Lojërat Olimpike të Atlantës, më 1996-ën. Po kështu, nga kjo “Shtëpi e Vrapuesve” janë Kampionët e 3-fishtë olimpikë dhe vrapuesit e distancave të gjata, Kenenisa Bekele, Tirunesh Dibaba, por edhe dy motrat e saj të talentuara Exhigajehu dhe Genzebe Dibaba, që po spikatin në garat e “Diamond Ligës”. Nga Bekoxhi është edhe fituesja e Maratonës së Olimpiadës së 2012-ës, Tiki Gelana. “Sikundër për çdo atlet tjetër, gjëja e parë që i bën ata të jenë një ditë kampionë është niveli i përkushtimit dhe përpjekjet që bëjnë në stërvitje”, – shpjegon 59-vjeçari Sintajehu Eshetu, një mësues i edukimit fizik në Bekoxhi dhe një zbulues i njohur talentesh. “Natyrisht që ka edhe arsye të tjera, – vijon Eshetuja, – si për shembull cilësuar e ushqimit që, këtu në Bekoxhi, konsiston natyrshëm në karbohidrate, proteina dhe përbërës të tjerë të dobishëm ushqimor. Të tillë si misri, elbi, qumështi dhe “besoja”, një pije vendase q përbërë nga elbi, mielli, uji dhe sheqeri.” Bekoxhi ndodhet 250 km në jug të kryeqytetit Adis Abeba, por, edhe pse ka një popullsi prej vetëm 20,000 banorësh, krahasuar me popullsinë 100-milionëshe të Etiopisë, ka prodhuar më tepër se një dyzinë medalistësh olimpikë dhe dyfishin e kësaj sasie sa i përket Botërorëve të Atletikës dhe Krosit. Sintajehu Eshetusë nuk iu desh të shëtiste shumë për të zbuluar talentin e kalibrit të Derartu Tulusë, Fatuma Robasë apo Kenenisa Bekelesë. Ai thjesht i gjeti ata në klasat e shkollave vendase. “Lartësia prej 2,800 metrash mbi nivelin e detit ka gjithashtu epërsitë e veta, – shpjegon Eshetuja. – Nëse vrapimi është një traditë në Etiopi, në Bekoxhi është një mënyrë jetese. Këtu vrapojnë për çdo gjë, për të shkuar në shkollë, për të dërguar një mesazh, për gjithçka. Atletika në Bekoxhi është më tepër sesa sport, është një mënyrë për t’i shpëtuar varfërisë, çka pashmangshmërisht i bën atletët të punojnë edhe më fort.”

Sicred