KRYEFAQJA » LAJME » Begaj pozitive në Anahem?

Begaj pozitive në Anahem?

Media të ndryshme kanë përhapur lajmin se peshëngritësja Romela Begaj, e cila spikati me paraqitjen e saj në Botërorin e Anahemit në SHBA, ku u shpall nënkampione e botës në dygarësh dhe kampione në stilin e shkëputjes,  ka rezultuar pozitive për përdorimin e substancave të ndaluara. Bëhet fjalë për substancën stanozolol.
Por të kontaktuar nëpërmjet linjës telefonike, si trajneri dhe bashkëshorti i Begajt, Gazmend Hakcani, ashtu edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i kanë cilësuar lajmet për daljen pozitive të Begajt si spekulime mediatike dhe të pavërteta. Madje pritet që në ditët në vijim të mbahet për këtë qëllim një konferencë për shtyp.
Ndërkaq burime pranë Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, që nuk pranojnë të identifikohen, kanë pohuar se përgjigjet e analizës së parë të peshëngritëses shqiptare kanë mbërritur të premten në Tiranë, por nuk janë bërë publike.
Sipas procedurës së këtyre rasteve, për përgjigjet e analizave të para, njoftohet vetëm Federata dhe sportistja, e cila ka 18 ditë kohë në dispozicion për të vendosur nëse do të apelojë. Apeli konsiston në bërjen e analizës së testit B, dhe, pas kryerjes së këtij testi, rezultatet përfundimtare si dhe masa disiplinore përkatëse bëhen zyrtare, në faqen zyrtare të Federatës Botërore të Peshëngritjes në Internet, ku aktualisht nuk ka asnjë njoftim për daljen pozitive të peshëngritëses shqiptare.
Peshëngritësja Begaj ishte kthyer në 2017-ën pas një pezullimi dyvjeçar dhe rrezikon një përjashtim nga sporti nëse rikonfirmohet pozitive për përdorimin e dopingut.

Sicred