KRYEFAQJA » LAJME » BE riafirmon mbështetje të qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor
BE riafirmon mbështetje të qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor

BE riafirmon mbështetje të qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor

Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, nisi konferencën përmbyllëse për shtyp të samitit 2-ditor europian me qëndrimet mbi Ballkanin. “Është e qartë për të gjithë që ka forca, nga brenda dhe jashtë, që përpiqen për të destabilizuar rajonin. Ne nuk jemi naiv. Kjo është arsyeja pse liderët e BE-së riafirmuan mbështetje të qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e tyre europiane” tha zoti Tusk. “Gjithashtu, ne shprehëm angazhimin tonë të plotë në mbështetje për reformat dhe projektet e orientuara drejt BE-së. Unë shpresoj se ky sinjal pozitiv nga BE-ja do të dëgjohet në rajon” shtoi ai.
Ky mesazh është më i zbehtë nga çfarë synohej përmes këtij samiti. E pakënaqur me rizgjedhjen e Presidentit Tusk deri në vjeshtë të 2019, Polonia nuk u pajtua për miratimin e konkluzioneve përfundimtare të samitit europian të pranverës, të cilat u publikuan si konkluzione të Presidentit të Këshillit të BE-së. Në këto përfundime, interesimi i vendeve anëtare shprehet me mbështetjen për “perspektivën europiane” të rajonit, por evitohen fjalët “anëtarësim/zgjerim në BE”.
“Në kuadër të sfidave të brendshme dhe të jashtme, me të cilat po përballet rajoni, Këshilli Europian diskutoi për situatën e brishtë në Ballkanin Perendimor, të cilën do ta mbaj nën vëzhgim. Nënvizoj rëndësinë e vazhdimit të rrugës së reformave, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nismave gjithpërfshirëse rajonale. Rikonfirmoi perspektivën europiane të Ballkanit Perendimor. Duke mirëpritur progresin e arritur nga vendet e rajonit, Këshilli Europian nënvizon se BE-ja do të mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar në të gjitha nivelet për t’i mbështetur ato në reformat dhe projektet e orenturara drejt BE-së” nënvizohet në konkluzionet e Presidentit të Këshillit të BE për situatën në Ballkan.
Mësohet se gjatë darkës është diskutuar për shtimin e pranisë së vendeve anëtare të BE-së në rajon, veçanërisht për ato shtete ballkanike, ku vërehet një tërheqje nga procesi integrues, “si Serbia për shembull” përmendi një diplomat europian për RTSH. Sipas tij, “eksponentë të ndryshëm europianë pritet të shpeshtojnë ftesat pritëse dhe vizitat me vendet problematike të rajonit”. Në 12 korrik të këtij viti pritet të mbahet në Trieste të Italisë samiti për Ballkanin Perendimor dhe vitin e ardhshëm në Britani të Madhe, siç deklaroi në selinë e Këshillit për mediat vendase kryeministrja Theresa May, pavarësisht faktit se vendi i saj po fillon procedurat e largimit nga BE.
Kriza politike dhe institucionale maqedonase përbën shqetësimin kryesor, por të njëjtat burime thonë se liderët europianë nuk u morën aspak me letër-ankesën e Presidentit Ivanov “mbi përpjekjet e fuqive perëndimore për t’i imponuar Maqedonisë platformën politike të Tiranës”.
“Pasi dëgjuan raportimin e Mogherinit, ata folën në përgjithësi, më shumë se për vende specifike,” – shprehet një tjetër diplomat për RTSH. Sipas tij, “të gjitha vendet e rajonit aktualisht kanë probleme institucionale dhe sfida deri diku të ngjashme të demokracisë, por rritja e ndikimit të Rusisë, në një kohë që nuk dihet nëse SHBA-të do të ruajnë angazhimin e deritanishëm me Ballkanin, i bën vendet anëtare më të ndërgjegjshme”. Ai fajëson edhe Komisionin Junker për qëndrimin se “nuk ka zgjerim për 5 vjetë” dhe “ky është çmimi që do të paguajmë” tha diplomati europian. Në ditën e dytë të samitit, 27 vendet anëtare, pa Britaninë e Madhe, diskutuan edhe mbi të ardhmen e Europës dhe përgatitjen e deklaratës përkatëse që pritet të miratohet në fund të muajit në Romë, në 60 vjetorin e krijimit të Unionit.

Sicred