KRYEFAQJA » LAJME » BE: Negociatat hapen në Qershor 2019, Rama e Basha vlerësime kontradiktore
BE: Negociatat hapen në Qershor 2019, Rama e Basha vlerësime kontradiktore

BE: Negociatat hapen në Qershor 2019, Rama e Basha vlerësime kontradiktore

Ministrat e jashtëm dhe ata të çështjeve europiane, anëtarë të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme që merret me organizimin e takimeve të liderëve të BE-së, kanë dhënë dritën jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë në qershor të 2019-ës. Ky vendim shpresohet t’i hapë rrugë miratimit të kësaj date nga liderët e BE-së gjatë samitit që ata do të zhvillojnë në datën 28 dhe 29 qershor. Vendimi për hapjen e negociatave vjen mes ndasish mes 28 vendeve anëtare për këtë cështje, ndërsa Franca dhe Holanda, të mbështetur nga Danimarka bëjnë thirrje për më shumë reforma në të dy vendet.

“Rrugëtimi drejt hapjes së bisedimeve të anëtarësimit në qershor të vitit 2019 është i qartë. Një sinjal kyç ky për rajonin se progresi i bërë shpërblehet, sikurse edhe vendimtar për besueshmërinë e vet BE-së”, shkruan me këtë rast në një mesazh në “Twitter”, Komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn.

Por ky lajm në Shqipëri është komentuar në këndvështrime të ndryshme nga maxhoranca dhe opozita.
Për kryeministrin Edi Rama “Pas 72orësh mes dallgëve të brendshme të BE Shqipëria i’a doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar! Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin Meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë! Një betejë tejet e vështirë u fitua lufta vijon!” shkruan zoti Rama në Fejsbuk.
Po në Fejsbuk ka reaguar edhe kreu i opozitës Lulzim Basha. “Hapja e negociatave për Shqipërinë u shty edhe për një vit. Krimi dhe korrupsioni po mbajnë peng të ardhmen tonë. Pa luftuar krimin dhe korrupsionin, vendimi në 2019 do jetë refuzues si sot. Tani është momenti për një kthesë të madhe për të shpëtuar vendin dhe të ardhmen tonë europiane” shkruan zoti Basha.

Sicred