KRYEFAQJA » LAJME » BE e shqetësuar dhe angazhuar për Ballkanin
BE riafirmon mbështetje të qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor

BE e shqetësuar dhe angazhuar për Ballkanin

Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, i sapo rikonfirmuar nga 27 krerët e shteteve dhe qeverive europiane, gjatë konferencës për shtyp të natës së parë të samitit europian, përmendi Ballkanin, si “një rajon vital për Europën”. Por sipas tij, tensionet dhe ndarësitë e shkaktuara nga “influencat e jashtme të pashëndetshme”, duke iu referuar Rusisë, kanë destabilizuar prej kohësh disa vende ballkanike. “Krerët e qeverive diskutojnë gjatë darkës për Ballkanin Perëndimor, një rajon që është vital për Europën. Tensionet dhe ndarësitë kanë dalë jashtë kontrollit për shkak të influencave të jashtme të pashëndetshme, të cilat kanë destabilizuar disa vende prej njëfarë kohe. Unë do t’i propozoj udhëheqësve që të ndërmarrim veprime, përfshirë tashmë dhe komunikime strategjike. Ndaj vendeve të rajonit, mesazhi ynë do të jetë i qartë: Bashkimi Europian mbetet besnik ndaj angazhimeve të ndërmarra në samitin e Selanikut, mbetet plotësisht i vendosur  për stabilitetin dhe prosperitetin e gjithë rajonit. Dua që liderët të rikonfirmojnë perspektivën europiane për Ballkanin Perëndimor” tha zoti Tusk.
Pavarësisht situatës aktualisht të brishtë në Ballkan dhe shqetësimit të disa vendeve anëtare për konflikte të reja ndëretnike në këtë rajon, kreu i Komisionit, Jean Claude Junker, nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij fillestar mbi zgjerimin.  “Unë nuk mendoj se ishte e gabuar ajo që lajmërova para dy vjetësh e ca, në 2014, kur thashë se nuk do të ketë zgjerim, sepse, me fakte, asnjë prej këtyre vendeve nuk është gati për t’iu bashkuar Unionit. Ne nuk ndërpremë negociatat, përkundrazi ngarkova Komisioner për  negociatat e zgjerimit  dhe ai po bën një punë të mirë. Duhet të jetë e qartë se vendet e Ballkanit Perëndimor ruajnë pa ekuivok perspektivën e tyre europiane. Ata nuk largohen por po afrohen për t’u futur brenda” tha kreu i Komisionit, Jean Claude Junker.
Në nisje të mbledhjes, për këtë çështje u shprehën dhe disa kryeministra europianë, mes të cilëve dhe ish eurodeputeti kroat, Plenkovic, si dhe përfaqësuesja e lartë e BEsë, Federica Mogherini. “ Unë vizitova gjithë rajonin, egzaktësisht një javë më parë. Diskutuam me ministrat e jashtëm të hënën dhe unë pres që Këshilli Europian të dërgojë një mesazh shumë të fortë për angazhimin, vendosmërinë, çiltërsinë dhe besueshmërinë e modelit që do të çojë rajonin drejt integrimit në Bashkimin Europian” tha zonja Mogherini.
Andrej Plenkovic, kryeministër i Kroacisë  tha se “Eshtë e rëndësishme që ne do dërgojmë sinjale inkurajimi për stabilizimin dhe mbështetjen për procesin e anëtarësimit dhe reformat e nevojshme. Mendoj se të gjitha vendet e Europës Juglindore, që janë ngarkuar me procesin europian, kanë nevojë për mbështetjen, inkurajimin dhe udhëzimin për të përmbushur kriteret e nevojshme” tha ai.
Këshilli Europian synon ta mbaj nën vëzhgim situatën në Ballkan dhe konkluzionet  rikujtojnë mbështetjen për perspektiven europiane të Ballkanit Perëndimor.  Këshilli Europian nënvizon se BE mbetet e përkushtuar ndaj këtij rajoni dhe e angazhuar në të gjitha nivelet, për të mbështetur stabilitetin dhe për të thelluar lidhjet politike dhe ekonomike me këtë rajon dhe brenda rajonit.

Sicred