KRYEFAQJA » LAJME » Basketbolli shqiptar feston 70 vjetorin

Basketbolli shqiptar feston 70 vjetorin

Një nga sportet më të dashura për shqiptarët, që i ka bërë ata jo pak herë krenarë ndër vite, basketbolli, feston sot 70-vjetorin e tij. Udhëtimi i Federatës Shqiptare të Basketbollit ka nisur që në vitin 1947.
Për Presidentin e FIBA Evropë, Turgaj Demirel, i cili gjendet në Tiranë për të marrë pjesë në këto festime, ky përvjetor është një gur kilometrik për koshin shqiptar. “Unë jam i lumtur që gjendem sot këtu në një përvjetor të rëndësishëm siç është ai i 70-vjetorit të Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe më gëzon fakti që ky përvjetor ka marrë rëndësinë dhe peshën e duhur” tha ai. Për zotin Demirel “Vetëm kështu do të jemi në gjendje ta çojmë edhe më përpara këtë sport në vendin tuaj, që duhet theksuar se ka bërë mjaft hapa pozitiv në drejtim të rritjes dhe zhvillimit. Vetë pjesëmarrja juaj e gjerë me një numër ekipesh përfaqësuese në fazën eliminatore është domethënëse dhe unë besoj se Federata po bën maksimumin për ta çuar më përpara këtë sport, për ta shndërruar atë në një faktor të rëndësishëm në jetën sportive në Shqipëri dhe për të konkurruar me sukses edhe në rajon dhe në kontinent.
70 vjetori i basketbollit shqiptar për presidentin e federatës, Avni Ponari, vjen në një nga periudhat më të mira të këtij sporti.” Do të them më mirë se asnjë herë se është viit i tretë së paku marrim pjesë me shtatë ekipe kombëtare në kompeticione europiane dhe ndoshta do të jetë viti i parë që do të marrim pjesë në ligat e Europës me një ekip shqiptar” thotë ai për RTSH. Sipas zotit Ponari ky është një ndryshim i madh.
Por, për zotin Ponari, basketbolli ka nevojë për mbështetje. “Ka nevojë për mbështetje financiare, terrene sportive” thotë ai. Sipas kreut të FSHB, talente ka dhe mundësitë janë të mëdha. ” Ne sot kemi një kontigjent mjaft të madh lojtarësh të talentuar që janë të nivelit europian”.
Në këtë 70-vjetor, basketbolli shqiptar e ka hedhur vështrimin drejt eliminatoreve të verës, ku shpresat, sidomos tek meshkujt, janë të mëdha.

Sicred