KRYEFAQJA » LAJME » Basketboll, sonte Partizani – Tirana, akti i dytë i derbit të tensionit

Basketboll, sonte Partizani – Tirana, akti i dytë i derbit të tensionit

 

Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, që njihet si Superliga, luan të shtunën në mbrëmje një nga përballjet më të spikatura të fazës së tij të parë, derbin e madh të kryeqytetit, midis Partizanit dhe Tiranës.
Në prag të ndeshjeve të kësaj jave, të kuqtë kryeqytetas ndajnë kreun e renditjes me Teutën, me nga 12 pikë, një më tepër sesa Vllaznia e vendit të 3-të dhe dy më tepër se bardheblutë, që sidoqoftë kanë luajtur një ndeshje më pak, atë me Kamza Basket.
Sikundër të gjitha takimet e spikatura të basketbollit shqiptar, edhe kjo sfidë do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport. Kjo përballje, që nis në ora 19:00, pritet të jetë më e ngarkuar emocionalisht, për shkak se përballja e fazës së parë midis dy rivaleve, e zhvilluar në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në Tiranë, u ndërpre nga dhuna e tifozëve. Federata Shqiptare e Basketbollit vendosi që t’i japë ndeshjen në tavolinë Partizanit, 20-0, ndërsa Tirana u dënua t’i luajë dy ndeshjet e radhës pa tifozë, si dhe të dyja skuadrat u gjobitën. Shefi i Klubit Shumësportësh “Partizani”, Shkëlqim Muça, ka pohuar për Televizionin Shqiptar se janë marrë të gjitha masat që ndeshja e sotme, që do të luhet në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, të shkojë pa probleme. Muça ka sqaruar se të dy grupet e tifozerive, si ata të Partizanit, ashtu edhe ata të Tiranës, do të futen dhe do të qëndrojnë në Pallat të ndarë nga njëri-tjetri me parketin në mes. Forcat e ruajtjes së rendit, që sipas Muçës pritet të jenë minimumi 50 dhe maksimumi 100 policë, do të kontrollojnë tifozët në hyrje për shashka apo mjete të tjera të rrezikshme. Si tifozët e Partizanit, ashtu edhe ata të Tiranës, kanë një histori incidentesh midis tyre në këto vitet e e fundit, duke krijuar shpesh edhe skena të pakëndshme në parketin e basketbollit.

Sicred