KRYEFAQJA » LAJME » Basketboll meshkuj, Shqipëria mundet 78-86 nga Danimarka dhe i mbyll me 4 humbje Eliminatoret e Evropianit

Basketboll meshkuj, Shqipëria mundet 78-86 nga Danimarka dhe i mbyll me 4 humbje Eliminatoret e Evropianit

Kombëtarja shqiptare e basketbollit për meshkuj e ka humbur edhe ndeshjen e 4-t në kuadër të grupit B të fazës paraeliminatore të Kampionatit Evropian të 2021-shit. Kuqezinjtë e koshit, të drejtuar nga trajneri grek Antonios Dukas, janë mundur 78-86 në takimin e fundit me Danimarkën, duke e mbyllur kështu në vendin e 3-të dhe të fundit të renditjes dhe duke mos u kualifikuar për më tej, pasi janë nordikët, si të parët e grupit, por edhe Armenia, si vendi i dytë, që vijojnë më tej betejën e tyre kontintale.

Pavarësisht humbjes kjo e ndeshje e zhvilluar në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Tiranë, ka qenë paraqitja më e mirë e bërë nga Shqipëria në këto 4 ballafaqime. 10-minutëshi i parë i lojës ka qenë i luftuar, por nordikët e fitojnë atë 29-21, ndërsa edhe më i luftuar ka qenë ai i dyti, të cilin Danimarka e fiton me vetëm një pikë epërsi, 19-18. Kjo ka bërë që skuadra mike të shkojë në pushimin e madh të ndeshjes duke kryesuar 48-39. Pjesa e 3-të ka qenë mjaft e mirë për kuqezinjtë e Dukasit, pasi Shqipëria e fiton atë 25-17 dhe i ngushton shifrat në një pikë të vetme, 64-65. 10-minutëshi i fundit do të jetë edhe më i bukuri, me të dyja skuadrat që luftojnë pikë për pikë. Madje Shqipëria kryeson për një moment 78-77, por gabimet e shumta në minutat e fundit, përballë një finalizimi të mirë të nordikëve, bën që Danimarka ta fitojë këtë pjesë 21-14 dhe gjithë ndeshjen me shifrat 86-78.

Ajo u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 2.

Sicred