KRYEFAQJA » LAJME » Basketboll; Dukas, pasardhësi i Konstantinidesit?
Basketboll, Dukas, pasardhësi i Konstantinidesit

Basketboll; Dukas, pasardhësi i Konstantinidesit?

Duket se stoli i përfaqësueses së Shqipërisë në basketboll për meshkuj do të vazhdojë të flasë greqisht, pasi edhe trajneri i ri i saj do të jetë helen. Ndonëse nuk është ende zyrtare, burime pranë Federatës Shqiptare të Basketbollit kanë pohuar për Radio-Televizionin Shqiptar se, sipas të gjitha gjasave, stoli kuqezi do t’i besohet Antonios Dukasit. Në fakt, 45-vjeçari sapo ka marrë përsipër edhe drejtimin e kampiones së Shqipërisë në basketboll për meshkuj, Tiranës, duke zëvendësuar malazezin Nikola Milatoviç, që e udhëhoqi skuadrën bardheblu drejt fitimit të të 3 trofeve sezonin e shkuar. Duke i hedhur një vështrim të shpejtë karrierës së trajnerit grek, i cili flet edhe anglisht, bullgarisht dhe serbisht, vëren se ai ka një CV modeste dhe ka punuar kryesisht si ndihmëstrajner, por edhe trajner, në nivele të ulëta në Greqi dhe Bullgari. Duket se emërimi i tij në krye të stolit të kampionëve të Tiranës, që është edhe baza e ekipit kombëtar, ka shërbyer si shtysë për përzgjedhjen e Dukasit si trajner të Kombëtares kuqezi të koshit të meshkujve. Dukasi zëvendëson në këtë detyrë qipriotin Antonis Konstantinides, i cili është në fakt edhe nën kontratë me presidentin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, kontratë e cila është e vlefshme deri në fund të këtij viti. Megjithatë, duket se emërimi i mundshëm i Antonios Dukasit, i cili pritet të zyrtarizohet brenda muajit shtator, teksa në nëntor Shqipëria do të nisë pjesëmarrjen e saj në fazën paraeliminatore të Evropianit të 2021-shit, do t’i japë fund edhe zyrtarisht bashkëpunimit me 45-vjeçarin qipriot. Ndërkohë, burime pranë Federatës Shqiptare të Basketbollit kanë pohuar gjithashtu për Radio-Televizionin Shqiptar se paralelisht me zyrtarizimin e trajnerit të Kombëtares së meshkujve, do të bëhet edhe ai i Kombëtares së Femrave të koshit kuqezi, ndërsa emri mbetet ende i pakonfirmuar.

Sicred