KRYEFAQJA » LAJME » Bashkimi i Transmetuesve Europianë zgjedh presidentin e ri

Bashkimi i Transmetuesve Europianë zgjedh presidentin e ri

Asambleja e 80-të e përgjithshme e Bashkimit të Transmetuesve Europiane zgjodhi në unanimitet Presidentin e ri. Ai është drejtuesi i gjigandit mediatik BBC, Toni Hall, që do të drejtojë EBU-në për një mandat dyvjeçar. Në një intervistë për RTSH zoti Hall ndau emocionet e para, vetëm pak çaste pas votimit të përfaqësuesve të vendeve anëtare.
“Jam shumë i nderuar, mendoj se është koha e duhur për ta bërë median publike më të fortë. Të gjithë së bashku ti qëndrojmë parimeve dhe vlerave që ne besojmë. Ti qëndrojme gjërave që ne besojmë se mund të bëjmë për shtetet anëtare, kjo është mënyra më e mirë për të qënë bashkë, ndaj jam i nderuar që u zgjodha President i EBU-së.”- u shpreh Hall.
Zoti Hall tha për RTSH se prioriteti i tij në presidencën dy vjeçare të EBU-së do të jetë fuqizimi i transmetuesve publik.
“Mendoj se prioritet është që ne të ndërtojmë qëndrueshmëri të fortë nga diversiteti që na rrethon në EBU. Ajo që na mban ne të gjithë bashkë është besimi në vlerat e shërbimit të medias publike. Besimi që gjërat e mira mund të vijnë nga ne. Dhe unë mendoj që ndërtimi i këtij bashkimi është një nga sfidat që ne kemi përpara.” – shtoi ai.
Presidenti i sapozgjedhur i Bashkimit të Transmetuesve Europianë vlerëson se sfida më e madhe e medias publike është pavarësia e saj.
“ Ndaj unë them që pavarësia e medias publike është e rëndesishme. Sepse besimi ndaj medias publike varet nga pavarësia e tyre. Mediat publike janë antidoda më e mirë për lajmet e rreme. Garantuesi më i mirë që njerëzit mund ti besojnë. Kjo është shumë e rëndësishme për demokracinë.”
“ Mendoj që RTSH është si Televizioni Publik në Mbretërinë e Bashkuar. Ne duhet të qëndrojmë të gjithë bashkë për t’i dhënë zë talenteve të reja, kulturave që përfaqësojnë, t’i japim zë komedianëve, shkrimtarëve, aktorëve, muzikantëve, t’i japim atë hapesirë mediatike në një mënyrë që asnjë televizion tjetër nuk mund t’a bëj.” – përfundoi z.Hall.
Në ditën e dytë të punimeve të asamblesë, Bashkimi i Transmetuesve Europianë votoi në postin e Zv/presitencës së EBU-së, francezen Delfin Synsi.
“Jam shumë e nderuar të punoj në EBU, pasi të gjithë së bashku ne mund të jemi më të fortë. Sepse unë e ndjej që është urgjente që ne të punojmë më shumë bashkë, të fuqizohemi që të përballemi me shumë çështje dhe sfida. Prioriteti im pikë së pari është solidariteti me anëtarët e EBU-së. Çdo anëtar duhet të ketë vendin që i takon në EBU. Po ashtu pikë tjetër me prioritet është dhe inovacioni. Sepse ju e dini, transformimi digjital na vë përpara mundësive të mëdha për t’u zhvilluar më tej dhe për t’u lidhur më shumë me njerëzit.”- tha zonja Synsi.
Kjo është hera e parë që Asambelja e Përgjithshme e EBU-së organizohet në Shqipëri, nën mikpritjen e veçantë të RTSH-së.
Zgjedhjet e Asamblesë së Përgjithshme të EBU-së kanë bërë jehonë në mediat më prestigjoze ndërkombetare, “BBC”, “Le Parisien” si dhe në faqen zyrtare të EBU-së.
Presidenti i ri i EBU-së, Toni Hall, ka qënë drejtor i përgjithshëm në BCC që nga prilli i vitit 2013. Ai iu bashkua gjigandit mediatik BBC në vitin 1973 dhe gëzon një karrierë 28 vjeçare, me pozicione nga më të lartat të cilat kulmojnë me emerimin e tij si shef ekzekutiv i lajmeve në BBC. Ndërsa, Delfin Synsi është zgjedhur si Drejtore Ekzekutive e Televizionit Publik Francez në vitin 2015, me një karrierë të pasur 26 vjeçare.

Sicred