KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Ultimatum për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por bojkot nuk ka!
Basha: Ultimatum për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por bojkot nuk ka!

Basha: Ultimatum për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por bojkot nuk ka!

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka paralajmëruar se do të dorëzojë në KQZ ultimatumin me shkrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por tha se opozita nuk do të bojkotojë zgjedhjet. Kur po mbushen tre javë nga protesta e opozitës zoti Basha vazhdon ta personalizojë betejen politike me kryeministrin socialist Edi Rama. “Ti me kriminelë unë me pedagogë, ti me hajdutë unë me qytetarë, ti me vesin ne me virtytin, ti kundër zgjedhjeve ne për zgjedhjet, ti për drejtësinë e kapur ne për drejtësinë e vërtetë, të pakapur. Sot në KQZ partitë opozitare do të dorëzojnë ultimatumin me shkrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme.Kush i fryn borisë që bojkotit gabohet rëndë” tha ai para një auditori me pedagogë. “Nuk do të ketë bojkot, do ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Me hapin e sotëm opozita shqiptare provon luajalitetin tonë ndaj kauzës së qytetarëve shqiptarë për zgjedhje të lira dhe të ndershme” këmbënguli zoti Basha.
Ai përsëriti deklaratën tashmë të njohur se nuk do të ketë hapa pas në qëndrimin e opozitës deri në krijimin e një qeverie teknike.”Në kushtet e mungesës totale të reformës zgjedhore me qëllimin e vetëm për të shtypur dhe tjetërsuar votën e shqiptarëve, në kushtet e sabotimit me vetëdije të reformës në drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut nga ata që kanë frikë nga drejtësia e vërtetë dhe e pakapur ka vetëm një zgjidhje, qeveri teknike, largimin e Edi Ramës dhe kabinetit të turpit, krimit dhe drogës” tha zoti Basha. “Asnjë tërheqje nuk ka dhe nuk mund të ketë, çdo tërheqje do ishte tradhëti ndaj qytetarëve. Kjo luftë, kjo betejë nuk bëhet për interesat tona politike, por për të fituar njëherë e përgjithmonë pasaportën e dinjitetit europian për çdo shqiptare dhe çdo shqiptar” deklaroi lideri i opozitës.

Sicred