KRYEFAQJA » LAJME » Basha: TVSH-ja e Ramës marrëzi, do ta pengojmë

Basha: TVSH-ja e Ramës marrëzi, do ta pengojmë

Shqiptarët janë të parët nga vendet e Ballkanit dhe të Europës, që duan të braktisin vendin e tyre . Kështu i lexon rezultatet e Barometrit të Ballkanit 2017, kreu i opozitës së djathtë shqiptare Lulzim Basha. Zoti Basha i gjen shkaqet tek kriza ekonomike dhe sociale ku sipas tij e ka futur vendin Qeveria Rama. “Kryeministri nuk do t’ja dijë, sepse nuk ka snjë raport llogaridhënie me qytetarët, sepse ka ardhur në pushtet me votë të blerë dhe të dhunuar, pas asnjë program” tha ai në një dalje për mediat.
Zoti Basha parasheh një situatë akoma më të zymtë në fillim të vitit të ardhshëm, në rast implementimi të nismës së Qeverisë për vendosjen e biznesit të vogël në sistemin e TVSH-së. Opozita, garanton kreu demokrat, do të ndërmarrë iniciativa konkrete për ta penguar. “PD do të luftojë fortë kundër marrëzisë çmendurisë të rritjes së TVSH. Ne do të paraqesim propozimin tonë për t’a frenuar këtë çmenduri që do të çojë në rritjen e çmimeve të konsumit dhe rënien e të ardhurave buxhetore” premtoi zoti Basha.
Kreu demokrat duke akuzuar qeverinë si përgjegjëse për krizën ekonomike si edhe për lidhje me krimin, apelon për ndërhyrje në themel, që nis sikundër thotë me garantimin e zgjedhjeve të lira. “Vota e lirë do ta kish shpëtuar vendin nga gremina pas keqeverisjes katërvjeçare. Vetëm ajo mund ta shpëtojë vendin” tha kreu i PD Lulzim Basha.
Ai tha se opozita do të bëjë çdo përpjekje që qytetarët të marrin në dorë fatet e tyre, ndërsa fton qytetarët të bëhen pjesë e ndryshimeve historike, që koha sipas tij apelon.

Sicred