KRYEFAQJA » LAJME » Basha në PPE: Vendet anëtare të BE po stepen nga zhvillimet në Shqipëri
Basha në Londër: Vendi po shkon drejt diktaturës, por ne do ta shtypim krimin

Basha në PPE: Vendet anëtare të BE po stepen nga zhvillimet në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi të hënën se ka vënë re një stepje të madhe të përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian sa i përket Shqipërisë.  Zoti Basha i cili ndodhte në Bruksel, në punimet e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane, ka zhvilluar atje një sërë takimesh. “Në veçanti, shqetësime të mëdha në drejtim të shtetit ligjor, luftës kundër krimit, luftës kundër korrupsionit” tha ai në një deklaratë. “Padyshim që episodi Tahiri dhe mbrojtja e tij politike me imunitet parlamentar, si dhe largimi në drejtim të paditur i 3 oficerëve madhorë, pasi ata u vunë nën akuzë dhe u kërkua arrestimi në lidhje me trafikun e drogës, kanë lënë një shije shumë të hidhur” nënvizoi kreu i opozitës shqiptare.
Sipas zotit Basha në këtë takim “…vendet anëtare po ngrejnë probleme që opozita ka 4 vjet që i denoncon, kriminalizimin e politikës, mbulimin e Shqipërisë me drogë, qindra milionë euro të drogës, që po qarkullohën nga grupe kriminale edhe përmes kanaleve të ekonomisë informale, duke i dhënë krimit fuqi ekonomike dhe politike, siç u faktua në zgjedhjet e 25 Qershorit”.
Për kreun e PD “….shumica dërrmuese e vendeve anëtare janë bërë shumë të ndërgjegjshme për këto problem. Kjo mund të pengojë rrugën europiane të Shqipërisë duke ndëshkuar qytetarët shqiptarë, shumica dërrmuese e të cilëve nuk kanë lidhje as me kultivimin e drogës, as me trafikun e drogës, por janë ata që ndjejne efektet e para negative, siç janë shtrëngesat e lëvizjes së lirë apo edhe kërcënimet në disa raste për kthimin e vizave për shqiptarët, siç është edhe skepticizmi i madh me të cilin po përballen vendet anëtare sa i perket procesit të hapjes së negociatave me Shqipërinë”.
“Natyrisht, interesi ynë është interesi kombëtar, interesi i qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk e meritojnë të ndëshkohen, të njollosen, të damkosen për diçka që në fakt ka qenë një projekt i një grupi të ngushtë pushtetarësh dhe kriminelësh me qëllim pushtetin dhe pasurimin e tyre” tha zoti Basha.
Kreu i opozitës ka përsëritur se zgjidhjet politike që opozita ka parashtruar janë zgjedhja e një qeverie antimafia, që do të shkëpusë lidhjet e krimit me politikën, që do të përgatisë një reformë të vërtetë zgjedhore dhe do ta çojë vendin me sukses drejt një qeverie legjitime përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Sicred