KRYEFAQJA » LAJME » Basha i përgjigjet Ramës : Reforma në Drejtësi të zbatohet ashtu siç e parashikon Kushtetuta
Basha i përgjigjet Ramës : Reforma në Drejtësi të zbatohet ashtu siç e parashikon Kushtetuta"

Basha i përgjigjet Ramës : Reforma në Drejtësi të zbatohet ashtu siç e parashikon Kushtetuta

Kreu i opozitës Lulzim Basha i është përgjigjur menjëherë kreut të maxhorancës Edi Rama, i cili ka kërkuar të martën bashkëpunim për zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm, pasi kreut të deritanishë Adriatik Llalla i ka mbaruar mandati më 7 dhjetor. Por zoti Basha nga ana e tij duket se ka vendosur piketat për këtë zgjedhje. “Që Prokurori i Përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin duhet që ai vetë të mos jetë i korruptuar dhe i inkriminuar. Dhe ka vetëm një mënyrë si mund të garantohet kjo gjë: ai duhet t’i nënshtrohet procesit të vetingut, siç e parashikon reforma në drejtësi e sanksionuar në Kushtetutë” shkruan zoti Basha në Fejsbuk. “Që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë produkt i politikës, ai nuk mund të përzgjidhet dhe emërohet nga Edi Rama dhe Sajmir Tahiri, por nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe tre të pestat e Kuvendit siç e kërkon Kushtetuta” shkruan më tej ai.
Për kreun e opozitës “Reforma në drejtësi është në Kushtetutë. Nuk ka reformë në drejtësi jashtë Kushtetutës. Drejtësia arrihet pikërisht përmes zbatimit të Kushtetutës dhe jo pazareve partiake”.
Zoti Basha nënvizon se “Ne mbeshtesim pa asnjë rezervë procesin e vetingut të çdo prokurori dhe gjyqtari. Ne kërkojmë krijimin e menjëhershëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të krijohet menjëherë SPAK dhe byroja e hetimit që do të hetojë politikanët e korruptuar dhe krimin”.
Por për opozitën “Ka tetë muaj që në shkelje flagrante të Kushtetutës mbahet peng krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ndaj ne bëjmë thirrje që kjo situatë të zhbllokohet menjëherë, që reforma në drejtësi të zbatohet ashtu siç e parashikon Kushtetuta” mbyllet reagimi i zotit Basha.

Sicred