KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Dorëheqja e Tahirit – një akt hileqar i kryeministrit për të mashtruar partnerët
Basha: Dorëheqja e Tahirit - një akt hileqar të kryeministrit për të mashtruar partnerët

Basha: Dorëheqja e Tahirit – një akt hileqar i kryeministrit për të mashtruar partnerët

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e konsideron dorëheqjen e ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri nga mandati i deputetit si “vazhdim i paktit Rama-Tahiri”, e më tej një akt hileqar të kryeministrit për të mashtruar partnerët euroatlantik.
Në një reagim në Fejsbuk zoti Basha shkruan se “dorëheqja nga mandati erdhi pas presionit direkt që iu bë Edi Ramës në Berlin, ku iu tha se është e patolerueshme mbrojtja politike që i bëhet Saimir Tahirit me imunitet parlamentar kundër veprimeve të drejtësisë”.
Duke ju referuar ngjarjeve të dy javëve të fundit për këtë çështje zoti Basha shkruan se “Dorëzimi i mandatit konfirmon se është Edi Rama ai që e ka mbrojtur dhe vazhdon ta mbrojë Saimir Tahirin dhe se kjo është loja e të dyve bashkë për të mbyllur dosjen “Tahiri”.
Kreu i opozitës mendon se ish ministri Tahiri “shantazhon kryeministrin me aferat e tij korruptive dhe lidhjet kriminale të familjes së tij”. “Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë një subjekt i vetëm, kur bëhet fjalë që Tahiri të dalë përpara drejtësisë: nëse Tahiri del para drejtësisë, Edi Rama del para drejtësisë. Nëse Saimir Tahiri është i lirë, Rama është i lirë” shkruan zoti Basha.
Më tej lideri i opozitës vlerëson se dorëzimi i mandatit “është manovër politike pasi Edi Rama ka futur nën kontroll të plotë Prokurorinë, të cilën e përdor si dhe sa herë t’i duhet për të mbrojtur pushtetin e vet kriminal”.
Kreu i PD Lulzim Basha vlerëson se dorëzimi i mandatit të Tahirit nuk e shpëton Edi Ramën. “Mbrojtja e Ramës për Tahirin është ndëshkim për Shqipërinë, sikundër mungesa e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga pengesat kryesore për hapjen e negociatave të anëtarësimit” shkruan ai në Fejsbuk.

Sicred